Duhej të të takoja në mbrëmje për të të „rehatuar“…

Датум

Shkruan: Natasha Stojanovska

„Duhej të të takoja në mbrëmje për të të “rehatuar“, është mesazhi që gazetarja Aneta Dodevska e mori vitin e kaluar në rrjetet sociale, kurse personi nuk e fsheh fare identitetin e tij dhe shpesh i dërgon mesazhe me përmbajtje ofenduese dhe nënçmuese, por ka ofendime edhe në baza nacionale dhe fetare.

„Ky mesazh tregon se ai person e dinte se si dhe ku punoja dhe e dinte se ndonjëherë punoja deri në orët e vona të natës“, thotë Dodevska, kryeredaktore dhe redaktore përgjegjëse në TV 24.

I njëjti personazh dërgon mesazhe kërcënuese dhe fyese për gazetarët e tjerë, të cilët e kanë denoncuar rastin në polici, kanë dhënë deklarata, por Prokuroria Publike vendosi të mos fillojë procedimin penal sepse nuk ka prova për një vepër të kryer penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare, respektivisht nuk bëhet fjalë për kërcënime konkrete për kryerjen e veprës penale për të cilin akt është paraparë pesë vite dënim me burg dhe me të cilat kërcënime është rrezikuar siguria e dikujt e as nuk bëhet fjalë për gjuhë urrejtjeje si elemente të veprës penale që ndiqet sipas detyrës
zyrtare.

„Denoncimi hidhet poshtë si i pabazuar“, kështu përfundoi përpjekja e disa kolegëve për të filluar një proces të ndjekjes penale të personave, të cilët vazhdimisht na fyenin, poshtëronin dhe madje na kërcënonin përmes rrjeteve sociale. Por, Prokuroria nuk e njohu as gjuhën e urrejtjes dhe as kërcënimet“, thotë Dodevska.

Gazetarja Miroslava Bërns nga “Sloboden peçat” vitin e kaluar kaloi 24 orë me sigurimin e policisë para shtëpisë, pasi mori kërcënime për jetën për një tekst të shkruar në lidhje me një dasmë që është mbajtur në Tetovë, duke shkelur protokollet për mbrojtje nga Covid-19.

„Pasi e publikova tekstin dhe video materialin, mora kërcënime për jetën time në rrjetet sociale. Ata më dërguan ‘mulli drithi’ si metaforë për atë që do të më ndodhte“, thotë Bërns.

Bërns shton se kërcënimet erdhën nga mysafirët që ishin në dasmën e djalit të një ish-ambasadori të Maqedonisë në Zvicër. Ai në Tetovë ka pasur dasmën e djalit të tij, duke shkelur protokollet e vlefshme për mbrojtjen nga Covid-19. Kurse mysafirët dhe familja e ambasadorit u ndjenë të lënduar, pasi u publikuan në „Sloboden peçat“ video filmime se si nuk respektohen videot e protokolleve, e më pas pasuan kërcënime.

Sidoqoftë, për shkak të seriozitetit të kërcënimeve, Bërns mori sigurimin e policisë, por ajo nuk mori informacion nëse ata që i ka denoncuar kanë qenë të thirrur në pyetje nga policia.

„Situata ishte paradoksale, mbase kisha 24 orë sigurim policor, qëndroja në shtëpi. Pra, e panë seriozitetin e kërcënimit, dhe në të njëjtën kohë më thonë se nuk mund të veprojnë sipas detyrës zyrtare, sepse nuk jam funksionare. Më këshilluan që kërcënuesit t’i ndjekë me padi private, edhe pse kishte kërcënime eksplicite për jetë, se do të më vrasin, se do të më gjejnë…“, thotë Bërns.

Nga MPB-ja thonë se për këtë rast ata si institucion kanë njoftuar me shkrim Prokurorinë. Nga Policia thonë se edhe disa raste të tjera që janë denoncuar, janë dërguar njoftime në Prokurori.
Është interesant fakti që në Sektorin për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale në MPB kanë mbërritur edhe katër denoncime nga Fondacioni “Metamorfozis” aty kah mesi i dhjetorit të vitit të kaluar. Fondacioni “Metamorfozis” denoncoi se nga më shumë profile të rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter u publikuan të dhëna për të punësuarit, si dhe i publikuan përmbajtje me gjuhë urrejtjeje dhe përmbajtje kërcënuese.

„Është kërkuar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup të përgatitet Kërkesë për dorëzimin e të dhënave, drejtuar rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter, në mënyrë që të përcaktohet identiteti i personave që i kanë përdorur profilet e raportuara nga Fondacioni „Metamorfozis“ dhe deri më sot PTHP Shkup ende nuk e ka dorëzuar kërkesën për dorëzimin e të dhënave, thonë nga MPB-ja.

MPB parashtroi padi penale për Arben Esati, a do ta pranojë Prokuroria si të
bazuar?

„Do t’ju pres gishtat“, „Unë do të humbas punën time, por do t’ju marr jetën kudo që të jeni“, „Jo Policia po as Ushtria nuk mund; ju shpëtojnë, gratë, juve edhe motrat e juaja do t’ua dhunoj”, „edhe fëmijët tuaj do…“, janë vetëm disa nga kërcënimet që personi Arben Esati u ka dërguar mediave përmes rrjetit social Facebook: „Pa censurë”, TV „21“, Gazeta „Express“, „Tetova Sot“, TV „Koha“, „Koha News“, „Kumanova Sot“, TV „Shenja“ dhe „Lajm Pres“.

Kërcënimet e tilla shkaktuan një ndjenjë frike dhe pasigurie te gazetarët dhe familjet e tyre, të cilët në koordinim me SHGM-në i kërkuan MPB-së të kryhet hetim urgjent. Policia ngriti kallëzim penal, dhe tani fjalën e ka Prokuroria, e cila duhet të vendosë nëse do ta pranojë apo refuzojë atë si të pabazuar.

„Pas arritjes së kallëzimit penal, Prokuroria Themelore Publike Tetovë  formoi lëndë mbi bazën e të cilës vepron në drejtim të kontrollimit të të dhënave të kallëzimit të parashtruar“, thonë nga PTHP.

 

Mbase ky është sulmi i vetëm që SHGM-ja e ka regjistruar këtë vit, megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur edhe incidente të tjera më të vogla. SHGM-ja, disa herë, ka reaguar për ndaj ofendimeve të ashpra nga përfaqësuesit e Kuvendit, si dhe nga politikanë të tjerë ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Disa kërkesa janë parashtruar në MPB për veprim kundër pjesëtarëve të policisë që i kanë shkelur të drejtat e gazetarëve dhe disa nga këto raste janë zgjidhur.

Për dallim nga ky vit, SHGM-ja vitin e kaluar ka vërejtur gjithsej 14 sulme dhe kërcënime serioze ndaj gazetarëve, kurse vetëm një rast kishte epilog gjyqësor.

Standarde të dyfishta të institucioneve

Ajo që gazetarët kanë vënë në dukje prej vitesh është se problemi më i madh është se kur bëhet fjalë për kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve, institucionet nuk veprojnë sipas detyrës zyrtare, por ata udhëzohen për të kërkuar drejtësi përmes një padie private, por të njëjtat institucione reagojnë krejt ndryshe kur kërcënimet ose sulmet u drejtohen funksionarëve. Kjo është arsyeja pse SHGM-ja apelon se efektiviteti në luftën kundër kërcënimeve në mediat sociale nuk përfundon me gjetjen e kërcënuesve kundër zyrtarëve të lartë qeveritarë, e cila është praktikë kur bëhet fjalë për bartësit e funksioneve publike.

„Ne presim që institucionet të mos kenë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për gazetarët dhe punonjësit mediatik, veçanërisht kur ata janë të ekspozuar ndaj gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve për linçimin e tyre vetëm për shkak të ushtrimit të profesionit të tyre“, nënvizojnë nga SHGM-ja.

Me ndryshimet në Kodin Penal, sulmi ndaj gazetarit do të trajtohet si sulm nga personit zyrtar

Situata me sanksionet ndaj atyre që kërcënojnë ose ofendojnë gazetarë dhe punonjës mediatik duhet të ndryshojë me ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Penal, sipas të cilave për sulmin ndaj një gazetari ose punonjësi mediatik, Prokuroria do të veprojë sipas detyrës zyrtare.

„Sulmi ndaj një gazetari ose punonjësi mediatik do të trajtohet si sulm ndaj një zyrtari, për të cilin parashikohet një dënim me burg deri në tre vjet“, thotë Aleksandar Vidinovski, zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë.

Pritjet e Ministrisë së Drejtësisë janë që këto ndryshime në javët e ardhshme të kalojnë në një procedurë qeveritare dhe të dërgohen në Kuvend për procedurë të mëtejshme. Shoqatat e gazetarëve të SHGM-së dhe SPGPM-së e mirëpresin rritjen e dënimeve për shkelësit, si dhe faktin që gazetarët dhe punonjësit e tjerë mediatik janë vendosur në një grup njerëzish së bashku me profesionet e tjera që janë të ekspozuar ndaj sulmeve dhe kërcënimeve për shkak të natyrës së tyre punë.

„Këto ndryshime në praktikë nënkuptojnë që në rast të shkeljes së nenit 144 të Kodit Penal, që i referohet një kërcënimi serioz për sigurinë ose sulmin ndaj jetës ose trupit ose jetës dhe trupit, në këtë rast një gazetar ose punonjës mediatik që kryen profesionin, do të dënohet me dënim me burg. Një masë e ngjashme i referohet edhe nenit 139 që ka të bëjë me detyrimin me forcë“, thotë Milan Spirovski nga SHGM-ja.

Nga ana tjetër, neni 394-g në lidhje me shpërndarjen e materialit racist dhe ksenofobik përmes një sistemi kompjuterik nuk ndryshon, por, sipas Spirovskit, logjika ligjore është që nëse PTHP nuk pranon një kërkesë për veprim penal sipas këtij neni, do të ketë për detyrë të veprojë në përputhje me nenin 144, nëse në rastin konkret ekziston një kërcënim serioz për gazetarët ose punonjësit mediatik për veprimet e shkaktuara nga kryerja e profesionit të tyre.

Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore në mënyrë që të ndërtohen zgjidhje sistemike për sigurinë e gazetarëve është një hap, dhe më pas mbetet detyrimi për të ndjekur praktikën e Prokurorisë dhe Gjyqësorit sa i përket zbatimit.

Gjithnjë e më shumë funksionarë po padisin gazetarët, duke çuar në rritjen e censurës

Por, ajo që SHGM-ja e sheh si prirje negative në vitin 2021 është numri në rritje i padive për shpifje dhe fyerje kundër gazetarëve kritikë. Gjatë kësaj, disa nga këto kërcënime ligjore ndaj gazetarëve janë nga ish-bartës ose bartës aktualë të funksioneve publike.

„Kjo praktikë ishte e pranishme në të kaluarën, veçanërisht në periudhën nga viti 2013 deri më 2016 dhe kontribuoi seriozisht në rritjen e censurës në sektorin e mediave“, thotë Milan Spirovski nga SHGM-ja.

Sipas të dhënave të marra nga Gjykata Themelore Civile Shkup, numri i përgjithshëm i rasteve aktive në paditë e përgjegjësisë civile për fyerje dhe shpifje në vitin 2020 ishte 147, nga të cilat në 33 raste pala është gazetar ose media. Kjo tregon se ka gjithnjë e më pak raste të shpifjes dhe ofendimit ndaj gazetarëve, respektivisht shpifja dhe ofendimi gjithnjë e më pak përdoren si instrument presioni ndaj gazetarëve dhe mediave. Këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, ka një numër në rritje të padive për shpifje.

Останати
објави

Сподели на...