FUTBOLL, BIRRA, KIKIRIKË, TË SHARA DHE ATY-KËTU NDONJË GODITJEJE NË FYTYRË

Датум

Shkruan: Katerina Topalova

„Italia dhe Spanja, për herë të katërt kundër njëra-tjetrës në Kampionatet Evropiane të Futbollit. Këtë herë luhej për plasman në finalen e „Wembley“ në fund të kësaj gare të 16-të të këtij viti të Futbollit Evropian të Më të Mirëve!“.

Dragan Nikolovski, komentator sportiv dhe redaktor në programin sportiv të Shërbimit Publik, është në vendin e tij të punës. Ka një të preferuar edhe në këtë kampionat futbolli, por kjo gjë harrohet kur është në studio. Nuk ka birrë dhe kikirikë me futbollin për të, ai duhet të jetë profesionist dhe objektiv deri në fund të ndeshjes. Por, fjalët e tij arrijnë tek shumë njerëz, si tek ata – ekipi i të cilëve humbet ashtu edhe te të tjerët – ekipi i të cilëve fiton, dhe reagimet që ai merr në kutinë postare nuk janë të rralla.

„Rrjetet sociale kanë krijuar një situatë të tillë në dhjetë vitet e fundit, në mënyrë që të gjithë, madje edhe teleshikuesi i zakonshëm, ndihet i thirrur për të folur për çdo çështje të mundshme, dhe kjo është veçanërisht e dukshme kur ai mendon se duhet të merret me komentuesit sportiv televiziv“, thotë Nikolovski.

Situata të këtilla ndodhin zakonisht kur ka ndeshje të mëdha sportive.

„Ata kalojnë nga ekstremi në ekstrem, nga mbështetës, dhe madje edhe në rast se dikujt nuk i pëlqen diçka, në fjalët më të ashpra të thëna, ndoshta për shkak të një skedine të humbur (parashikimi sportiv v.j) për shkak të humbjes së një ekipi ose ekipi kombëtar të preferuar. Nuk ka kërcënime më të drejtpërdrejta me pasoja fizike, por mund të krijojë trazira“, thotë Nikolovski.

Profesioni publik është specifik, sepse jeni vazhdimisht të ekspozuar. Në kutinë postare të rrjeteve sociale të Nikolovskit kanë arritur ofendime dhe akuza. Ai tregoi vetëm një shembull kur disa vjet më parë, gjatë komentimit të ndeshjes midis Rusisë dhe Kroacisë, ai mori mesazhe sharëse nga dy profile të ndryshme dhe ofendime se duke bërë punën e tij ai ka bërë tifo për njërën apo tjetrën skuadër.

Më parë ai është nervozuar dhe fyerjet i ka marrë shumë afër zemrës, kurse kohët e fundit, thotë Nikolovski, ai përpiqet t’i injorojë ato dhe të kuptojë impulsivitetin e spektatorit, i cili në atë moment tërhiqet nga situata që skuadra e tij po humbet. Por, kolegu i tij, Toni Stojanovski, kujton se ka pasur momente kur ai është dashur të mbrohej nga sulmet fizike.

„Në Kukosh kam komentuar lojën e hendbollit Greqi – Maqedoni për Radio Shkupin në vitin 2001. Salla në Kukosh është e vogël, ka një tribunë, pa një vend klasik për komentator. Vendi nga ku komentoja lojën ishte në rreshtin e parë dhe njerëzit ishin ulur rreth meje. Maqedonia luajti shumë mirë në fillim të ndeshjes. Unë gjithashtu punova në mënyrën më të rregullt – Maqedonia sulmon, godet, shënon gol… dhe një burrë i moshuar, që ishte i ulur pranë meje, papritmas, u ngrit nga vendi i tij, më goditi në fytyrë dhe më theu gjitha pajisjet e punës, si kufjet dhe mikrofonin, madje edhe syzet e mia ranë në tokë“, rrëfen Stojanovski.

 

Kuptova që ai që më sulmoi ishte shqetësuar për shkak të fjalëve Maqedoni, Maqedoni … Në fillim ai ka qenë i hutuar dhe ka ndaluar së komentuari, por më pas e ka marrë veten dhe u ka thënë dëgjuesve se ishte goditur nga një vizitor në ndeshje.

„Një polic erdhi, e evidentoi incidentin dhe u ul pranë meje. Në pushimin e pjesës së parë i njëjti njeri që më goditi më solli kafe dhe ujë, me gjasë në shenjë ndjese. Ka pasur më shumë situata të tilla, mbaj mend edhe një sulm të ngjashëm, për shembull, në futboll në Gjorçe Petrov“, përfundon Stojanovski.

Stojanovski asnjëherë nuk ka raportuar ndonjë sulm apo fyerje tek institucionet kompetente. Nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve thonë se mos raportimi është një praktikë e zakonshme në këto redaksi.

„Fatkeqësisht, gazetarët sportivë nuk i raportojnë ato ngjarje. Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik i mbështet dhe i inkurajon ata që të raportojnë në Sindikatë çdo sulm ndaj tyre, qoftë një sulm fizik apo një sulm në mediat sociale, dhe Sindikata do të reagojë në përputhje me rrethanat me mekanizmat që i ka në dispozicion“, thotë Sashko Dimovski nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik.

Maltretimi online duhet të raportohet tek organet e ndjekjes dhe ata duhet të veprojnë në përputhje me ligjin, vlerëson ai. Nga kumtesa për mbështetje dhe raportim, deri te trajnimet e ndryshme për njohjen, mbrojtjen dhe përgjigjen ndaj sulmeve ndaj gazetarëve, Sindikata u ofron të gjithë punonjësve të mediave, sepse, siç thotë Dimovski, gazetaria duhet të jetë një profesion i respektuar.

Gazetari sportiv Branko Kazakovski nga TV „Telma“ thotë se kjo praktikë e mos raportimit është kryesisht për shkak të shpeshtësisë, veçanërisht të sulmeve online ndaj tyre.

„Unë nuk kam pasur shumë fyerje, por kam lexuar statuse për veten time dhe kam marrë mesazhe në kutinë postare. Disa ishin vërtet tronditëse, me sharje. Mund të mendoni për gjithçka, por unë ia atribuoj atë kulturës vendase dhe asaj të përgjithshme. Është e lehtë të ofendosh dikë në mediat sociale, por është një problem më i thellë sociologjik. Ne si gazetarë sportivë nuk mund të fshihemi nga kjo. Mendoj se shumë nga kolegët e mi janë tashmë imunë ndaj atij shqetësimit online“, thotë Kazakovski.

Provokimi dhe ofendimi i gazetarëve në internet është një kërcënim global. Në një kohë kur përdorimi i Twitter, Facebook dhe platformave të tjera të mediave sociale është kusht për punësimin e punonjësve të mediave, një ngacmim i tillë është bërë një rrezik serioz profesional. Marrëdhëniet midis auditorit dhe komentuesve janë të ndryshme jo vetëm në vendin tonë, por edhe në mbarë botën.

Nga Platforma rajonale për sigurinë e gazetarëve në Ballkanin Perëndimor thonë se çdo sulm nuk duhet të injorohet ose nënvlerësohet.

„Ne aktualisht po ndjekim trendet, duke filluar nga Kroacia deri në Maqedoni, për të vlerësuar motivet e kërcënimeve dhe sulmeve, për t’i kategorizuar ato në grupe dhe për të matur me numër si një indeks sigurie se cili është trendi në nivelin e secilit vend veç e veç në Ballkanin Perëndimor, por edhe në përgjithësi si rajon”, thotë Dragan Sekulovski nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Roli i kësaj platforme është zbulimi i të gjitha kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve që ndodhin në territorin e Ballkanit Perëndimor, regjistrimi i tyre, por edhe ofrimi i mekanizmave për parandalimin e tyre në të ardhmen. Sipas të dhënave online në dispozicion në këtë platformë, më shumë se 800 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave janë raportuar në Ballkanin Perëndimor. Shumica e tyre janë 318 në Beograd, e ndjekur nga Sarajeva me 188 sulme të regjistruara, Prishtina me 137 raste, Shkupi mban vendin e katërt me 71 sulme, Zagrebi ka 70, Podgorica – 55 dhe më pak në Tiranë – 17.

Të dhënat e publikuara tregojnë se shfaqja e ngacmimeve kibernetike ndaj gazetarëve po rritet edhe në rajon. Për shembull, në Podgoricë, pothuajse çdo rast i dytë i raportuar ka të bëjë me kërcënimet për jetën e gazetarëve dhe redaktorëve të mediave sociale. Nga ofendimet personale dhe poshtërimet deri tek mesazhet që kërcënojnë likuidimin janë postuar në faqen e internetit të Platformës rajonale për sigurinë e gazetarëve. Sipas Regjistrit të sulmeve ndaj gazetarëve të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, në vitin 2020 janë vërejtur gjithsej 14 kërcënime më serioze për sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të mediave, më shumë se gjysma e të cilave ishin kundër gazetareve femra. Vitin e kaluar ishin vetëm katër, që do të thotë se në një vit kishte tre herë më shumë sulme dhe kërcënime.

Sipas SHGM-së, kjo paraqet një kërcënim real për pjesëmarrjen, veçanërisht të femrave në gazetari dhe komunikimin publik në epokën digjitale. Departamenti i Shtetit, në Raportin e tij për të Drejtat e Njeriut për vitin 2020, gjithashtu, vuri në dukje se numri i sulmeve fizike ndaj gazetarëve është zvogëluar, por se ende ekziston një praktikë në rritje e të ashtuquajturit maltretim online kompjuterik dhe abuzim verbal.

Raporti i fundit mbi lirinë e mediave të “Reporterëve pa Kufij” tregon se vendi duhet të punojë me përkushtim në këtë fushë. Aty thuhet se kërcënimet nga zyrtarët qeveritarë, maltretimet online dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve në mediat sociale janë shtuar.

Sipas tyre, kjo praktikë vetëm e “forcoi kulturën e ankoruar të mosndëshkimit“. Pas indikacioneve të gjata dhe bisedimeve të organizatave të gazetarëve me Qeverinë, Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, tha se në të ardhmen sulmi ndaj gazetarëve do të trajtohet njësoj si një sulm ndaj një zyrtari, kurse Prokuroria do të veprojë sipas detyrës zyrtare në raste të tilla.

Për më tepër, dënime të rrepta vendosen edhe për kërcënim edhe për sulm ndaj gazetarëve. Me kërkesë të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, u miratuan shumë ndryshime dhe plotësime në Kodin Penal, me të cilat parashikohen risi konkrete që rrisin ndjeshëm sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve mediatik, respektivisht kameramanëve dhe fotoreporterëve në vendin tonë. Kuvendi pritet t’i miratojë ato në shtator.

Në korniza botërore, për shkak të gjendjes globale në këtë sferë, në vitin 2013, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli e nëntorin si “Ditë ndërkombëtare për dhënien fund mosndëshkimit për krimin kundër gazetarëve”.

Kjo storje është përpiluar në kuadër të projektit “Gazetarë të sigurt në situate krize” (Кeeping Journalists Safe in Situation of Crisis) i financuar nga programi i UNESKO – „Global Media Defence Fund”, në realizim të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik.

Autorja është përgjegjëse për përzgjedhjen dhe prezantimin e fakteve që i përmban kjo video-storje dhe për mendimet e shprehura, të cilat jo domosdo janë edhe të UNESKO-s dhe nuk e detyrojnë Organizatën.

Materiali i përdorur dhe prezantuar në këtë video-storje nuk nënkupton shprehje e çfarëdo mendimi nga UNESKO-ja lidhur me statusin juridik të cilitdo vend, territor, qytet ose zonë të autoriteteve të atjeshme ose në lidhje me përkufizimin e kufijve.

Останати
објави

Сподели на...