Shkruajnë: Petar Klinçarski, Sllavica Filipovska
Kur ish-shefi i DSP së Sasho Mijalkov, më 29 dhjetor doli nga paraburgimi, policia e burgut i shtyu ekipet mediatike për ta dërguar të njëjtin në veturën e tij private. „Përse një shtyrje e këtillë?!“, pyeti disa herë gazetari i “a1on.mk”, Kristian Landov, i cili ishte në shërbim para portës së burgut në Shuto Orizare.
„Polici na pengoi që të afrohemi më afër Mijallkovit dhe ta filmojmë përgjigjen e tij, madje jashtë hapësirës për të cilën ai është i ngarkuar për të kryer punën e tij. Nuk është hera e parë që një zyrtar policor me armë të marrë të drejtën të përcaktojë se çfarë duhet apo nuk duhet filmuar apo çfarë duhet pyetur. Ky është një problem i zakonshëm me oficerët e policisë, të cilët ndoshta duhet të edukohen se nuk kanë kompetencë t’u tregojnë gazetarëve se çfarë, ku dhe si do të punojnë”, thotë Landov.
Drejtoria për Kryerjen e Sanksioneve hapi procedurë disiplinore kundër dy zyrtarëve policorë.
„Procedura disiplinore në vetvete nuk do të ndryshojë asgjë, nëse autoritetet nuk bëjnë edukimin e nevojshëm dhe nuk i informojnë punonjësit e tyre se nuk kanë kompetencë të merren me mediat, veçanërisht të mos mbrojnë dikë prej tyre“, nënvizon Landov.
Ky nuk është një shembull i izoluar në vitin e kaluar, kur gazetarët u penguan në kryerjen e detyrave të punës dhe u është rrezikuar siguria e tyre. Në zgjedhjet lokale të tetorit 2021, gazetarja Ferikan Iljazi nga „Euronews“ Shqipëri, në vend që të raportonte për ditën e zgjedhjeve në Tetovë, u desh t’u shpjegonte anëtarëve të Këshillit Zgjedhor se pse ndodhet aty, madje me punonjës policie.
„Anëtarët e Komisionit Zgjedhor në Tetovë nuk na lejonin të incizojmë se si po shkon procesi, duke pohuar se nuk kemi fare të drejtë të vendosim kamerë në klasë. Madje na denoncuan në polici se e kishim prishur rendin për shkak të debatit, që ndodhi gjatë atij keqkuptimi brenda në klasë. Personi është denoncuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dhe nga atje kanë paralajmëruar se do të marrin masa. Në rastin e dytë, po ashtu në Tetovë, një polic në një vendvotim na kërkoi identifikim dhe akreditim nga KSHZ-ja (mbase nuk kishte akreditime në këto zgjedhje nga KSHZ-ja), dhe u kërcënua se nuk do të na lejojë të filmojmë me fjalët ‘unë e bëj ligjin këtu’. Polici që nuk na lejoi të marrim pamje filmike drejtpërdrejtë është denoncuar te organet kompetente të MPB-së“, thotë gazetarja Iljazi.
Gazetarët shpresojnë që sa më shpejt të miratohen ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat sulmi ndaj tyre do ta konsiderohet si sulm ndaj një personi zyrtar.
„Vetëm me zgjidhje ligjore mund të dënohen autorët siç duhet, kurse ne do të ndihemi më të sigurt“, thotë Iljazi.
NDRYSHIMET NË KODIN PENAL E PRESIN QEVERINË E RE
Në fund të korrikut të vitit të kaluar, ministri në largim i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, deklaroi se në Qeveri kanë kaluar ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat duhet të ngrihet në një nivel më të lartë mbrojtja e punonjësve mediatik. Pothuajse tre javë më vonë, ndryshimet e propozuara arritën në shtëpinë ligjvënëse. Ligji është dorëzuar më dt. 18.08.2021 në procedurë të rregullt, me flamur evropian dhe organi amë është Komisioni për Çështje Evropiane. Siç informojnë nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit, ndryshimet në Kodin Penal nuk kanë kaluar as në lexim të parë, pasi seanca e caktua nga Komisioni për Çështje Evropiane më 21 shtator 2021 është shtyrë.
„Pas votimit të Qeverisë së re, në Qeveri do të duhet të dërgohet njoftim nëse e njëjta mbetet në ligjet e propozuara në mënyrë që ato ligje që kanë mbetur në procedurë parlamentare të miratohen”, janë përgjigjur nga Kabineti i Xhaferit.
Deri më tani, zhvendosja e vetme nga pika zero rreth Ligjit është debati publik i organizuar nga Komisioni Parlamentar për Mundësi të Barabarta për Gratë dhe Burrat një muaj më parë.
Ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Penal janë rezultat i përpjekjeve shumëvjeçar të SHGM-së dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM), për të miratuar zgjidhje sistematike për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve. Sipas drejtorit ekzekutiv të SHGM-së, Dragan Sekulovski, asnjë nga grupet parlamentare nuk është kundër miratimit të ndryshimeve, por, ai vëren se askush nuk merr iniciativë që të njëjtat të futen në procedurë parlamentare.
„Sipas informacioneve tona, ligji duhej të miratohej deri në fund të vitit. Është ende në një fazë, e cila nuk premton se do të miratohet nga Kuvendi. Nëse kjo Qeveri dhe Kuvendi vërtet kanë vullnet të sinqertë për të mbrojtur gazetarët, hapi i parë që duhet bërë është që të inkurajohet miratimi i këtij ligji”, thotë Sekulovski.
Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, i cili është kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, thotë se pas zgjedhjes së Qeverisë së re do të mbahet seancë e Komisionit.
Në parim, mbështetje për ligjin do të japë edhe VMRO-DPMNE-ja, thotë koordinatori i këtij grupi parlamentar, Nikola Micevski.
„Nuk duhet të ketë asnjë problem,” vlerëson Micevski, përveç nëse ligji në ndërkohë pëson ndryshime të reja, të cilat do të ishin kontestuese për ta.
ARBËR ADEMI DHE NIKOLLA MICEVSKI
SHGM: LIGJI DO TË NA MBROJË SI PUNËTORË
Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sqarojnë se përse janë të nevojshme ndryshimet ligjore.
„Nëse do të kishte sulm ndaj gazetarit apo personit të afërt të një gazetari, atëherë Prokuroria do të ndiqte sipas detyrës zyrtare autorët dhe, në të njëjtën kohë, dënimet me burg do të ishin më të larta. Në këtë mënyrë do të mbrohet jo vetëm siguria e punonjësve mediatik, por edhe e drejta e qytetarëve për t’u informuar. Prokuroria në vendin tonë shumë rrallë është proaktive kur ka sulm ndaj gazetarëve dhe pikërisht për këto arsye pritet që efekti i këtij ligji të jetë pozitiv”, thotë drejtori ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekulovski.
Prokuroria Publike ka statistika dhe status të rasteve, në të cilat gazetarët paraqiten si të dëmtuar, sipas numrave që i dërgon rregullisht SHGM-ja. Nga atje thonë se nuk mbajnë statistika të detajuara sipas përcaktimit profesional të të dëmtuarve, andaj nuk përjashtojnë mundësinë që në disa Prokurori të ketë edhe raste të tjera në të cilat nuk është evidentuar se të dëmtuarit janë gazetarë. Megjithatë, siç u përgjigjën nga ky institucion, ata janë gati të zbatojnë ndryshimet në Kodin Penal.
„Nëse miratohen ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Penal, Prokuroria Publike do të fillojë menjëherë zbatimin e dispozitave të ndryshuara penale. Përndryshe, edhe deri më tani, Prokuroria Publike, sipas detyrës zyrtare, i ndjekë penalisht autorët e sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik, nëse identifikohen elementë të një krimi dhe nëse identifikohen autorët konkretë. Të gjithë prokurorët publikë kompetentë, në interes të mbrojtjes së të drejtës së shprehjes së lirë dhe të drejtës për informim të publikut, veprojnë jashtëzakonisht me përkushtim dhe në mënyrë aktive në rastet kur gazetarët paraqiten si viktima“, thonë nga Prokuroria Publike.
Dhe, sipas regjistrit të SHGM-së, nuk ka vit pa raste të shkeljes së të drejtave të gazetarëve. Vetëm në tre vitet e fundit shkeljet kanë qenë të lidhura me sulme verbale dhe fizike dhe kërcënime ndaj gazetarëve, si dhe kërcënime me jetë.
Raste të shkeljes së të drejtave të gazetarëve
– sulme fizike
– sulme verbale
– kërcënime
burimi: SHGM
„Në vitin 2021, në krahasim me vitin 2020, sipas statistikave tona, kemi një numër më të vogël kërcënimesh dhe sulmesh më të rënda ndaj gazetarëve, respektivisht ato janë pesë sosh por, në përgjithësi, e vlerësojmë të gjithë vitin si stresues dhe me tension për të gjithë komunitetin mediatik. sepse ka pasur më shumë ngjarje me rrezikshmëri të lartë, si: ka pasur zgjedhje lokale, pandemia ka vazhduar të shfaqet në shoqëri dhe kjo, në një farë mënyre, ka rezultuar në një situatë në të cilën gazetarët janë ende nën stres“, vlerëson Sekulovski.
Ndërkaq, SHGM-ja u bën thirrje gazetarëve që të mos heshtin ndaj asnjë forme të dhunës apo kërcënimit për sigurinë e tyre. Me këtë pajtohet edhe Ministria e Punëve të Brendshme, tek e cila gjithashtu mbërrijnë denoncime.
„Gjatë vitit 2021 janë dorëzuar gjithsej 8 denoncime, nga të cilat 5 janë zbardhur dhe përmbyllur plotësisht me 3 kallëzime penale, nga të cilat njëri për 7 persona, një njoftim me shkrim në Prokurorinë Publike dhe 1 sanksion kundërvajtës ndaj 2 personave, ndërsa në të tre rastet akuza u referohet personave të panjohur dhe janë marrë masa për zbardhjen e tyre. Në vitin 2020 në MPB janë raportuar 10 raste të tilla, prej të cilave
9 tashmë janë zbardhur plotësisht dhe për një rast janë duke u marrë masa për zbardhjen e plotë të tij”, thonë nga MPB-ja.
Për miratim më të shpejtë të ndryshimeve ligjore apelojnë edhe nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele. Ata thonë se vetëm në atë mënyrë do të parandalohet shkelja e të drejtave të gazetarëve dhe do të ofrohet siguria dhe puna e pandërprerë e tyre, që është parakusht i domosdoshëm për lirinë e informimit.
Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Gazetarë të sigurt të sigurt në situata krize” (Кeeping Journalists Safe in Situation of Crisis), financuar nga programi i UNESCO-s – “Global Media Defence Fund” dhe i realizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik. Autori është përgjegjës për përzgjedhjen dhe paraqitjen e fakteve të përfshira në këtë video-storje dhe për mendimet e shprehura, të cilat nuk janë domosdoshmërisht ato të UNESCO-s dhe nuk e detyrojnë Organizatën. Referencat e përdorura dhe prezantimi i materialit në këtë video-storje nuk nënkuptojnë shprehjen e ndonjë mendimi nga UNESCO në lidhje me statusin ligjor të cilitdo vend, territor, qytet ose rajoni ose autoriteteve të tyre ose në lidhje me përcaktimin e kufijve