Gazetarja e sulmuar më 27 prill nuk e ka gjen dot drejtësinë

Датум

Shkruajnë: Fatlume Dervishi dhe Adrian Kerimi

E sulmuar dhunshëm nga protestuesit në ngjarjet e 27 prillit 2017 në Kuvend, teksa po kryente detyrën e saj, gazetarja Melihate Rustemi nuk u mor në pyetje, dhuna ndaj saj nuk u hetua, autori nuk u identifikua dhe nuk u dënua. Kujtimi i 27 prillit për gazetaren Rustemi është ende i freskët dhe i trishtuar.

„Sa herë që përmendet 27 prilli, më duket sikur po më dridhet trupi. Kanë kaluar gati pesë vjet nga kjo ngjarje fatkeqe dhe askush nuk më ka kërkuar të them të paktën një fjalë për atë që ka ndodhur apo çfarë kam përjetuar”, thotë Rustemi.

Gazetarja Rustemi, si shumë kolegë të tjerë, ishte në mesin e protestuesve para Kuvendit dhe e informonte opinionin për ngjarjet. Ata nuk e dinin se çfarë do të ndodhte.

„Nuk ishin protesta të zakonshme me njerëz të thjeshtë. Njerëz të ndryshëm erdhën, qëndronin në grupe, bisedonin shkurt me njëri-tjetrin dhe u largoheshin. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte mënyra e veshjes së disa prej protestuesve. Shumë prej tyre mbanin kapele të zeza, shalle me simbole shtetërore dhe partiake. Gjithandej kumbonin këngë me përmbajtje nacionaliste. Gjithçka që ka ndodhur brenda Kuvendit është kumtuar mes protestuesve. Në një moment dola nga rruga kryesore dhe vazhdova në hyrje të Kuvendit për të parë nga afër se çfarë po ndodhte. Aty protestuesit tentonin të hapnin dyert dhe të hynë me forcë. Kalova pak anash dhe papritmas ndjeva një goditje të fortë dhe dhimbje nën brinjë, por nuk e kuptova se kush e bëri dhe pse. Në mes të asaj turme, nuk mund ta kuptoja se kush më goditi. Vetëm dëgjova ofendime ndaj meje dhe televizionit ku punoj. Megjithatë, kam vazhduar të raportoj për situatën edhe për disa orë derisa kam ndjerë nevojën për ndihmë mjekësore“, kujton Rustemi.

Gazetarja nuk e di se si dukej autori, por kolegët e tjerë gazetarë dhe përfaqësues të mediave që e kanë parë rastin e kujtojnë atë moment. Dëshmia e tyre konfirmon se gazetarët gjatë këtyre ngjarjeve kanë raportuar nën presion, fyerje, dhunë fizike dhe psikologjike. Mes tyre është edhe Arben Zeqiri, gazetar në atë kohë në Tv Shenja.

„Kam qenë i pranishëm pranë hyrjes së Kuvendit. Në një moment na u afrua një djalë, na foli në gjuhën maqedonase dhe filloi të na kërcënojë që të mos i filmojmë fytyrat e protestuesve. E shmanga duke thënë se nuk jam kameraman. Ndërkohë, i njëjti u afrua shumë afër koleges së tij Melihates, por nuk e dëgjova se çfarë i tha. Pashë që bëri një lëvizje të shpejtë me dorë, dhe pasi u largua pashë kolegen time me sy të përlotur dhe të frikësuar. Kur e pyeta se çfarë ndodhi, ajo më tha se me fytyrë e kishte goditur në stomak. Deshëm të kërkojmë ndihmë nga policia, por në ndërkohë një grua e moshuar filloi të na sulmojë verbalisht, të na shajë dhe të na ofendojë në gjuhën maqedonase“, thotë gazetari Zeqiri.

Gazetarja Rustemi shkoi për ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit „8 Shtatori“. Punonjësit e policisë kanë qenë aty për të regjistruar raste të tilla. Rustemi thotë se të dhënat e saj ua ka dhënë policëve, ndërsa nga MPB-ja konfirmojnë se policët e tyre e kanë regjistruar rastin.

Në raportin policor nuk ka të dhëna për autorin e as për ndonjë hetim të mëtejshëm të rastit.

„Ju njoftojmë se në Buletinin Elektronik të SPB-së Shkup për vitin 2017 është regjistruar ngjarja „Lëndim në punë“ për një gazetare të Tv Alsat – Melihate Rustemi, e cila më dt. 27.04.2017 gjatë një proteste para Kuvendi i RMV-së, ka mbetur e lënduar dhe është transferuar në SPQ „8 Shtatori“ për dhënie të ndihmës mjekësore“, përgjigjen nga MPB-ja.

 

Nuk dihet nëse procedura është dorëzuar në instanca të tjera. Nga Prokuroria Themelore Publike na thanë të pyesim MPB-në nëse kanë bërë kallëzim penal për dhunën ndaj gazetares, pa konfirmuar ata vetë. Nga MPB-ja nuk u përgjigjën lidhur me pyetjen për kallëzimin penal.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë është e vetëdijshme për kulturën institucionale të mosndëshkimit të sulmeve dhe dhunës ndaj gazetarëve.

„Gjyqësori duket se e ka problem të kuptojë se ka obligim të mbrojë të drejtat e gazetarëve sepse mbron edhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar. Institucionet duhet ta kuptojnë se sulmi ndaj gazetarit është në të njëjtën kohë sulm ndaj lirisë së fjalës, të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar dhe demokracisë në përgjithësi”, thonë nga SHGM-ja.

Shoqatat e gazetarëve, SHGM-ja dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve të Maqedonisë janë të përkushtuara për nxitjen e ndryshimeve ligjore, të cilat, sipas tyre, do të përmirësojnë nivelin e mbrojtjes institucionale të gazetarëve dhe do të rrisin dënimet për autorët.

Në procedurë parlamentare janë ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, të cilat do të mundësojnë që sulmi ndaj gazetarëve të konsiderohet sulm ndaj një personi zyrtar.

„Personi i cili kryen një vepër kundër një personi zyrtar, avokati, mjeku ose punonjësi tjetër shëndetësor, gazetari ose punonjësi tjetër mediatik ose personi tjetër që kryen veprimtari me interes publik në kryerjen e detyrave profesionale ose në lidhje me kryerjen e detyrave profesionale të ndërmarra në kuadër të kompetencave të tij ose personi që ndihmon në kryerjen e veprimtarive të sigurisë publike ose mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me parandalimin ose zbulimin e një krimi, kapjen e kryerësit të një krimi, ruajtjen e rendit publik ose mbajtjen e një personi të privuar do të dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet“, thuhet në projekt-ndryshimet e Kodit Penal.

SHGM-ja vlerëson se vetëm përmes zgjidhjeve sistematike, me ndryshimin e legjislacionit mund të parandalohet dhuna e mundshme ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik.

„Përmes ndryshimeve të Kodit Penal në dispozitat që e përcaktojnë gjuhën e urrejtjes në përputhje me praktikën e GJEDNJ-së, si dhe në pjesën e kompetencave të PTHP për të vepruar sipas detyrës zyrtare në rastin e sulmit ndaj gazetarit dhe/ose punonjës mediatik parashihen dënime më të larta për shkelësit. Njëkohësisht, është e një rëndësie të veçantë krijimi i një departamenti të ri në kuadër të PTHP-së (Prokurorisë Themelore Publike), i cili do të jetë i ngarkuar vetëm për trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të gazetarëve dhe punonjësve mediatik, të sigurisë së tyre, si dhe të gjuhës eksplicite të urrejtjes ndaj tyre, që është veçanërisht e pranishme në rrjetet sociale“, shtojnë nga SHGM-ja.

Në fund të vitit 2021 u shqiptua aktgjykimi i i parë në historinë e vendit për gjuhën e urrejtjes ndaj gazetarëve. Rasti i referohej gjuhës së urrejtjes që iu drejtua gazetarëve në profilin e SHGM-së në Facebook. Sipas SHGM-së, ky rast jep shpresë se së shpejti do të ndryshojë praktika gjyqësore dhe se kërcënimet ndaj gazetarëve do të trajtohen me një shkallë më të madhe serioziteti.

„Mosveprimi i Prokurorisë Themelore Publike, si dhe procedurat e gjata gjyqësore janë arsyeja pse gazetarët po e humbin gjithnjë e më shumë besimin në drejtësi në rastet kur janë viktima“, vlerësojnë nga SHGM-ja.

Edhe gazetarja e sulmuar, Melihate Rustemi, i ka humbur shpresat për zbardhjen e rastit dhe ndëshkimin e autorit.

„Nuk besoj. Jo se nuk mund të zbardhet ky rast, por se nuk ka vullnet për një gjë të tillë, duke qenë se deri më tani nuk është bërë asgjë. Këto raste ulin interesin për këtë profesion. Ka shumë gazetarë që e duan këtë profesion por, për shkak të pasigurisë së tyre në terren, tërhiqen dhe nuk vazhdojnë të punojnë në të“, thotë gazetarja Rustemi.

Më 27 prill 2017, dhjetëra gazetarë u bllokuan brenda Kuvendit së bashku me një grup deputetësh, të cilët ishin në shënjestër të dhunës nga një grup protestuesish. Ata përjetuan tmerr kur panë dhunë nga një turmë protestuesish mbi deputetët dhe përfaqësuesve të Kuvendit, madje ishin vetë objektivi i dhunës. Dhjetëra gazetarë të tjerë u kërcënuan dhe ishin të pambrojtur, të cilët raportonin jashtë Kuvendit për një nga zhvillimet më të vështira të demokracisë në vend.

Mikrofoni, kamera, logoja e mediumit, kufjet, madje edhe celularët në duart e gazetarëve dhe përfaqësuesve të mediave ishin arsyeja e mjaftueshme që protestuesit të jenë të dhunshëm dhe ofendues ndaj atyre që ishin thjesht në detyrë.

Storja është përgatitur në kuadër të projektit „Gazetarë të sigurt të sigurt në situata krize“ (Кeeping Journalists Safe in Situation of Crisis), financuar nga programi i UNESCO-s – „Global Media Defence Fund“ dhe i realizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik.

Autori është përgjegjës për përzgjedhjen dhe paraqitjen e fakteve të përfshira në këtë video-storje dhe për mendimet e shprehura, të cilat nuk janë domosdoshmërisht ato të UNESCO-s dhe nuk e detyrojnë Organizatën.

Referencat e përdorura dhe prezantimi i materialit në këtë video-storje nuk nënkuptojnë shprehjen e ndonjë mendimi nga UNESCO në lidhje me statusin ligjor të cilitdo vend, territor, qytet ose rajoni ose autoriteteve të tyre ose në lidhje me përcaktimin e kufijve.

Останати
објави

Сподели на...