Heshtja e institucioneve i inkurajon kërcënuesit online

Датум

Shkruajnë: Dajana Lazarevska dhe Lila Karatasheva

Institucionet nuk kanë staf apo burime, kurse i diskutueshëm është edhe vullneti për të zgjidhur sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Kjo është një përmbledhje e shkurtër e asaj se si duket përgjigjja e organeve të ndjekjes ndaj fjalës së lirë.

Natasha Stojanovska është redaktore në emisionet politike-ditore në televizionin Telma dhe shpeshherë është cak i sulmeve online për shkak të punës së saj gazetareske. Presioni rritet kur në emisione paraqiten politikanë të niveleve më të larta.

„Ndihem е pambrojtur dhe filloj të mendoj për autocensurë. Unë jam ekspozuar drejtpërdrejt dhe jam vënë në një situatë vetë të mbrohem nga linçimi në rrjetet sociale“, sqaron gazetarja Natasha Stojanovska.

Pas përfundimit të çdo emisioni, në orët e pasdites, ajo shpeshherë ndihet si viktimë e sulmeve verbale në rrjetet sociale. Nëse në emision paraqiten liderë të partive politike, ajo merr edhe mesazhe kërcënuese nga mbështetësit e tyre. Stojanovska vlerëson se ka fushata kundër diskriminimit ndaj grave politikane, por pak vëmendje i kushtohet fushatave për mbrojtjen e grave gazetare.

Kjo tendencë vërehet edhe në Indeksin vjetor Botëror të Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij”. Vlerësimi për Maqedoninë është se zyrtarët e lartë të qeveritarë kanë tendencë të kërcënojnë dhe ofendojnë gazetarët.

„Përse të denoncoj kur nuk ka reagim? – Jemi vënë në një situatë që nëse nuk u pëlqejnë pyetjet njerëzve që qëndrojnë nëpër selitë partiake të linçohemi. Gjëja më tragjike është se nuk na ofendojnë në baza profesionale, por se shpikin histori të llojllojshme me të cilat duan të na e shkatërrojnë dinjitetin dhe ta dëmtojnë besueshmërinë tonë vetëm pse jemi femra“, thotë Stojanovska.

Moskoordinimi dhe pasiviteti institucional vërehet në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku theksohet nevoja për bashkëpunim më të mirë ndërmjet institucioneve të ndryshme për të vepruar më shpejt ndaj shkeljeve të raportuara dhe për të parandaluar mosndëshkimin e autorëve.

„Qeveria/gjyqësori duhet të demonstrojë një dënim më proaktiv dhe sistematik të sulmeve. Vetëm një përqindje e vogël e autorëve të sulmeve fizike ndaj gazetarëve janë sjellë para drejtësisë”, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian.

Për tre vjet tashmë, Komisioni Evropian u bën thirrje institucioneve që të konsolidohen më mirë në luftën kundër sulmeve ndaj gazetarëve dhe të sigurojnë monitorim të shpejtë dhe efektiv të sulmeve.

Rritet numri i sulmeve online, veçanërisht ndaj grave gazetare

Sipas statistikave të Shoqatës së Gazetarëve, në 5 vitet e fundit janë raportuar gjithsej 53 sulme, duke përfshirë dy sulmet e raportuara në vitin 2021.

Tabela 1 – Prezantimi i numrit të sulmeve ndaj gazetarëve sipas gjinisë nga viti 2016 deri në vitin 2021

Sipas të dhënave nga Regjistri i SHGM-së për sulmet nga viti 2016 deri në vitin 2021, numri i përgjithshëm i sulmeve ndaj grupeve të gazetarëve është 16, ndërsa numri i sulmeve individuale ndaj grave gazetare është 16, ndërsa numri i sulmeve të gazetarëve meshkuj është 20.

Tabela 2 – Sulmet fizike dhe verbale dhe llojet e sulmeve të tjera nga viti 2016 deri 2021

Regjistri i SHGM-së tregon se pothuajse 33 për qind e numrit të përgjithshëm të sulmeve të raportuara ishin fizike, ndërsa 67 për qind e tjera ishin sulme verbale, kërcënime me jetë, dëmtime pronësore, arrestime, si dhe forma të tjera të presioneve dhe lëndimeve të gazetarëve. Sulmet verbale në internet shënojnë tendencë rritjeje, veçanërisht tek gratë gazetare.

Sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik regjistrohen në Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë. Prokuroria Publike apo ndonjë organ tjetër nuk bën dallim nëse bëhet fjalë për sulm ndaj gazetarit apo ndonjë qytetari tjetër. Për dallim nga organet gjyqësore, të cilat nuk kanë statistika konkrete, shoqatat e gazetarëve mbajnë evidencë të detajuar për çdo gazetar apo punonjës mediatik të sulmuar.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Dragan Sekulovski, konsideron se MPB-ja nuk i shfrytëzon plotësisht mundësitë e veta ligjore. Sipas tij, ekziston rreziku që sulmet verbale të sjellin dhunë fizike nëse nuk veprohet në kohën e duhur.

„MPB-ja duhet ta shfrytëzojë kompetencën e saj dhe të paktën të thërrasë për bisedë informative personat që sulmojnë dhe kërcënojnë verbalisht. Të paktën të përpiqen t’i dekurajojnë në çfarëdo mënyre. Nëse procedura zgjat gjashtë muaj, a duhet i njëjti person të vazhdojë t’i maltretojë gazetarët për gjithë ato gjashtë muaj?“, deklaroi Sekulovski.

Përderisa gazetarët dhe komuniteti ndërkombëtar po bëjnë thirrje për t’i dhënë fund mosndëshkimit të kriminelëve kibernetikë dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, mungesa e legjislacionit dhe praktikës së trajtimit të rasteve nga PTHP çon në atë që në Maqedoni të mos ketë përfundim gjyqësor për rastet e denoncuara të gazetarëve. Prokuroria Themelore Publike në periudhën prej një viti ka dhënë urdhër për veprim të mëtutjeshme vetëm për një kallëzim.

„Në periudhën vjetore 2020/2021 në MPB janë dorëzuar 14 denoncime, për të gjitha denoncimet janë dërguar njoftime në PTHP, për disa prej tyre ende priten udhëzime, për disa të tjera janë marrë përgjigje se nuk ka elemente për hetime dhe veprime të mëtejshme. Vetëm për një kallëzim është dorëzuar urdhër nga PTHP-ka për veprime të mëtutjeshme”- thonë nga MPB-ja.

Shumë shpesh, sulmet ndaj gazetarëve ndërlidhen me gjuhën e urrejtjes, të cilat, si pasojë
përfundimtare, i pasqyrojnë veprat të gjuhës së urrejtjes, siç janë ekspozimi ndaj linçimit publik, sulmet fizike e të ngjashme.

Drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, thotë se 90 për qind e komenteve dhe sulmeve ndaj grave gazetare përmbajnë gjuhë të urrejtjes. Ajo vlerëson se njerëzit në vendin tonë as që janë të vetëdijshëm se gjuha e urrejtjes është e ndaluar me ligj, por se nuk ka mënyrë se si ta kuptojnë, sepse askush nuk ka marrë asnjë përgjegjësi deri më tani.

„Zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund maltretimit të grave gazetare është që ata që i ofendojnë dhe i fyejnë ato të përgjigjen para organeve të drejtësisë me gjobë ose me burgim. Shteti duhet të fillojë të zbatojë maksimalisht masat që ka në dispozicion dhe të përpiqet të ndalojë dekurajimin e grave nga përfshirja në shoqëri“, thotë Pirovska.

Seksizëm, kërcënime ndaj grave dhe lëshime institucionale

Komentet seksiste, fyerjet dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë kufi. Për çështjet e brendshme politike, rrethi i linçimit publik po zgjerohet edhe përtej Maqedonisë, kështu që korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, Tanja Milevska dëshmoi se ndihet e kërcënuar sepse personalisht në rrjetin social Twitter ka shprehur qëndrime për politikat aktuale lidhur me krizën e refugjatëve në Afganistan.

„Qëndrimi im se Maqedonia duhet të pranojë një popullatë të caktuar, që për momentin ishte seriozisht e rrezikuar dhe në një situatë të vështirë, u dha të drejtën internet-boteve që të më kërcënojnë, të më fyejnë dhe të aludojnë për marrëdhënie seksuale me afganët nga ana ime”, që është sjellje absurde dhe e papranueshme ndaj një gruaje që e shpreh mendimin e saj“, ka shpjeguar Milevska për sulmin e saj në rrjetin social Twitter.

Sipas Milevskës, SHGM-ja duhet t’u kushtojë më shumë vëmendje këtyre llojeve të kërcënimeve dhe ofendimeve, kurse institucionet duhet të fillojnë me kohë të bëjnë punën e tyre për të mbrojtur gazetarët. Ajo konsideron se një qasje joserioze ndaj këtij lloj problemi do t’i dekurajojë gratë, do të kufizojë lirinë e tyre të fjalës dhe kjo do të kontribuojë në diskriminimin e plotë dhe varfërimin e debatit publik.

Në raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, janë regjistruar edhe këto sulme ndaj Milevskës. Prandaj, ata ende besojnë se dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë një problem i rëndësishëm, që e kërcënon shoqërinë, kurse kultura e mosndëshkimit është e ngulitur mirë në sistem dhe është një pengesë për sigurinë e gazetarëve.

Përvoja botërore për ballafaqim me cyber sulmet

Ndryshe nga Maqedonia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku nuk ka një rregullim të qartë, në disa vende të botës tashmë ekzistojnë ligje që regjistrojnë kërcënimet dhe e sanksionojnë sjelljen e individëve në hapësirën e internetit. Në Singapor, për shembull, Ligji për Mbrojtjen nga Ngacmimet (POHA) u miratua në vitin 2014, i cili ndalon komunikimin e qëllimshëm ose të pamatur që është kërcënues, abuziv ose fyes dhe shkakton ngacmim, frikësim ose dhunë.

Në vitin 2015, Kanada miratoi Ligjin për Mbrojtje nga akti kriminal online, i cili ndalon lloje të ndryshme të ngacmimeve kibernetike dhe shpërndarjen e pavetëdijshme të imazheve intime, duke përfshirë dërgimin e mesazheve me një emër të rremë ose informacione të rreme. Me këtë Ligj sanksionohen gjithashtu edhe komunikimet e turpshme dhe shqetësuese.

Në Finlandë, ngacmimet e kryera nëpërmjet mesazheve, me telefon ose në Facebook, Twitter, Instagram dhe platformave të tjera të rrjeteve sociale dënohen në të njëjtën mënyrë si format e tjera të ngacmimit fizik, si për shembull: thirrja e vazhdueshme e dikujt, dëgjimi i muzikës me zë të lartë për të ngacmuar një person tjetër etj.

Legjislacioni gjerman e njeh dhe sanksionon doksimin si një formë të dhunës online. Kjo paraqet dukuri e zbulimit të të dhënave personale për ndonjë online, si emri, adresa e banimit, numri i telefonit, informacione private dhe financiare, pa lejen e individit. Sipas ligjit gjerman, praktika e doksimit mund të klasifikohet si spiunazh i të dhënave, shkelje, që përfshin marrjen dhe shpërndarjen e paautorizuar të të dhënave të tjera të mbrojtura posaçërisht të palëve të treta, të ruajtura ose të transmetuara në mënyrë elektronike.

Interneti është ende i panjohur në ekuacionin e përgjegjësisë për autoritetet gjyqësore

Prokuroria Publike, nga praktika e deritanishme, ka konstatuar nevojën për ndryshime ligjore që do të mbulojnë platformat online, të cilat janë burimi kryesor i informimit për qytetarët.

„Duhen ndryshime të cilat do të mundësonin sanksionim më të saktë të gjuhës së urrejtjes në internet, por edhe do të lehtësonin ndjekjen penale dhe sigurimin e provave për këtë lloj procedure“, porositin nga Prokuroria Publike.

Në Maqedoninë e Veriut është duke u zhvilluar procedura për miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal, me të cilin ashpërsohen dënimet për sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave dhe në të ardhmen duhet të dënohen si sulme ndaj personave zyrtarë.

Në raportet ndërkombëtare për Republikën e Maqedonisë së Veriut gjuha e urrejtjes dhe sulmet ndaj gazetarëve paraqiten si fenomen juridik, që ende nuk mund t’i përgjigjet me sanksion.

Останати
објави

Сподели на...