Ngacmimi online i grave gazetare përfshin pothuajse gjithmonë seksizëm dhe diskriminim mbi bazë gjinie dhe moshe

Датум

Shkruan: Miroslava Burns

A i përjetojnë gazetarët dhe gazetaret të njëjtat fyerje dhe sulme në rrjetet sociale kur publikojnë storje që dikujt nuk i pëlqen dhe a luan rol gjinia kur bëhet fjalë për intensitetin dhe llojin e sulmeve verbale?

Kur një grua gazetare sulmohet, përdoren kualifikime seksiste, sulmohet jeta e saj private dhe zgjedhja e partnerit, mënyra se si ajo duket apo, thjeshtë, synohet dinjiteti i saj që publiku të fillojë të merret me privatësinë e saj e jo me temën që ka publikuar, vlerëson gazetarja e Rrjetit për Gazetari Hulumtuese, Sashka Cvetkovska.

Qëllimi i këtij narracioni, sipas saj, është që publiku të fillojë të merret me privatësinë e gazetares, në vend të përmbajtjes mediatike që ajo e publikon, si dhe të lëkundet vetëbesimi i saj.

Presioni psikologjik që sulmet online ua shkakton grave gazetare nuk ka vetëm implikime në mënyrën se si do të raportojnë gratë gazetare në të ardhmen, por gjithashtu përbën një kërcënim për shëndetin e tyre mendor, vetëbesimin e tyre, i privon ato nga paqja dhe qetësia por, mbi të gjitha, përbën një kërcënim për lirinë e fjalës.

Фото: cpj.org

Se ekzistojnë dallime të mëdha në kualifikimet që u jepen gjatë sulmeve ndaj gazetarëve burra dhe gra, Cvetkovska e ka ndjerë edhe në lëkurën e saj, duke punuar në tema serioze lidhur me krimin dhe korrupsionin vendor dhe ndërkombëtar.

„Është ndryshe për femrat, sepse ka gjithmonë diskriminim mbi bazë moshe dhe gjinie dhe seksizëm, për dallim nga meshkujt. Është gjithmonë kështu. Ata gjithmonë kërcënojnë me përdhunim. Unë madje as nuk i hap dhe kam më shumë se një mijë mesazhe. Unë as nuk i shoh, por ato që kam parë janë të tilla. Nëse një gazetare është mbi 30 vjeç, morali dhe dinjiteti i saj sulmohen gjithmonë. Pa përjashtim etiketohet si ‘një grua e moshuar dhe e lehtë që askush nuk e ka marrë për grua’. Sulmet e orkestruara ndaj gazetarëve meshkuj kanë kualifikime dhe ofendime të ndryshme si ‘kriminel i shitur’, ‘i paguar dhe vozit xhipa’, dhe kur një grua sulmohet, atëherë ajo është ‘e lehtë, e paaftë, e shëmtuar, me prapanicë të vogël’, madje ‘as nuk është e denjë as për t’u blerë’. Ajo është thjesht një prostitutë e zakonshme. Fyerjet që i marr unë janë të këtij lloji“, shpjegon Cvetkovska.

Komentet dashakeqe nga motive të panjohura shpeshherë e targetojnë vendimin e gazetares për t’u realizuar si nënë.

„Mëmësia është gjithmonë e përfshirë në fyerjet dhe kërcënimet online. Se nëse kam vendosur të punoj temën e korrupsionit dhe krimit, duhet të jem frigjide, ndryshe do të kujdesesha për fëmijët dhe se duhet të jem e parealizuar në jetën private. Secili nga këta, pavarësisht se si më identifikon, gjithmonë përfundon duke më kërcënuar se do të më përdhunojë“, tha Cvetkovska.

Hulumtimi i Federatës Ndërkombëtare Mediatike të Grave (International Women media federation) tregon se gazetaret kanë pasoja afatshkurtra dhe afatgjata për këtë ngacmim online, i cili ndryshon sjelljen e tyre. Ato mund të mbyllin llogaritë e mediave sociale, të vetë-censurohen, të humbasin vetëbesimin dhe të dyshojnë në vetvete, por gjithashtu të shmangin raportimin për tema që kanë shkaktuar fyerje dhe seksizëm. Disa prej tyre madje kanë menduar të lënë gazetarinë përgjithmonë pasi janë bërë shënjestër e sulmeve online. Të tjerat kanë pasur probleme me përqendrimin, i kanë shmangur njerëzit ose vendet që ua kanë kujtuar atyre incidentet.

Por, Cvetkovska ofendimet dhe kërcënimet nuk i ka raportuar në polici, sepse nuk ka kohë, por edhe për shkak se askush në shtet deri më tani nuk e ka zgjidhur problemin me kërcënimet dhe fyerjet ndaj gazetareve. Ajo vlerëson se nëse do të denonconte të gjitha komentet e papërshtatshme, të pasuara me seksizëm dhe diskriminim mbi bazën e moshës dhe gjinisë, atëherë do t’i duhej të distancohej nga puna dhe me ditë të tëra vetëm të denoncojë në polici.

„A më godet mua kjo si njeri? Po. Por, unë i kam thënë vetes se nëse dua të ndjek nivele të larta të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar, do të më duhet të duroj pak më shumë, veçanërisht në një atmosferë ku kërcënimet e tilla as që konsiderohen fare si diçka serioze“, thotë Cvetkovska.

Në pyetjen nëse kjo i ndikon në dyshimin e saj në vetvete, Cvetkovska përgjigjet në mënyrë pohuese.

„Sigurisht që ndikon tek unë. Kush dëshiron të lexojë diçka të tillë për veten e tij? Ajo ndikon në dyshimin, ndikon në mënyrën se si ndihesh, ndikon në mënyrën se si ju sheh bota, ndikon në marrjen e vendimeve personale, që do të thotë se ndikon gjithashtu në shëndetin tuaj mendor. Thjeshtë, ne jemi njerëz dhe ato gjëra na trishtojnë, shpesh na bëjnë të qajmë, por mësohesh të jetosh me këtë“, thotë Cvetkovska.

Në vitin 2020, sipas statistikave të Shoqatës së Gazetarëve, janë regjistruar gjithsej 14 sulme dhe kërcënime të ashpra ndaj gazetarëve, nga të cilat më shumë se gjysma ndaj grave gazetare. Në vitin 2019, janë regjistruar vetëm katër sulme të tilla, që do të thotë se trendi është në rritje dhe sulmet dhe kërcënimet janë tre herë më të shumta. Pikërisht këtë e thekson si problem Cvetkovska – mungesën e mbrojtjes institucionale dhe kulturën e pa aplikueshme në shoqëri për të dekurajuar sulmet.

Фото: thenews.com.pk

„Ka edhe kolegë që shkojnë në polici për çdo gjë dhe i ulin shanset tona për të pasur raste sistematike të mira. Disa ofendime nuk janë dhunë online, kështu që për shkak të atyre rasteve, ata njerëz që realisht janë subjekt i kërcënimeve online nuk merren seriozisht”, vëren Cvetkovska.

Redaktorja e Televizionit „Alfa“, Iskra Koroveshovska, thotë se, për fat të keq, në shoqërinë tonë, gratë ende trajtohen më keq se burrat në çdo kuptim, pavarësisht profesionit dhe, në këtë rast gazetaret nuk bëjnë përjashtim.

„Sidomos në një kohë kur jetojmë në një ndarje të thellë politike, që është shumë e dukshme edhe në media. Prandaj, kur një grua punon në një media që mbështet njërën ose kritikon tjetrën palë, sulmet janë të paktën në drejtim të profesionalizmit të saj, por janë të ‘erëzuara’ politikisht me mesazhe abuzive seksuale dhe gjuhë urrejtjeje”, vëren Koroveshovska.

Rrjeti i Sigurisë së Gazetarëve (safejournalists.net) ka dokumentuar 34 sulme ndaj grave gazetare në Bosnje nga viti 2015, 32 në Serbi, 13 në Kosovë, 10 në Maqedoninë e Veriut dhe 8 në Mal të Zi. Për të gjithë ato raste bie në sy se sulmet ndaj grave gazetare konsistojnë në ofendime seksiste të bazuara në pamjen e tyre fizike, kërcënime për përdhunim dhe sulme të tjera me bazë gjinore, të cilat sulme burrat nuk i përjetojnë, por janë të rezervuara ekskluzivisht për gratë. Konstatimi kryesor i hulumtimit është se gratë gazetare në Ballkan përballen çdo ditë me abuzim online. Sipas shumicës së gazetareve të intervistuara, prania e vazhdueshme e stereotipave me bazë gjinore krijon një atmosferë edhe më të vështirë për gratë. Eksperti mediatik Mehmed Hailoviq thotë se “gratë gazetare në Ballkan janë përballur me një stuhi të përsosur të mizogjinisë dhe antipatisë së përhapur ndaj gazetarëve në përgjithësi”.

Koroveshovska vëren se sulme të tilla i ka ndjerë në lëkurën e saj dhe shpjegon se poshtërimi publik me bazë seksuale, si dhe kërcënimet e drejtpërdrejta kanë lënë pasoja të rënda për të dhe familjen e saj.

„Personi, që as nuk dua t’ia kujtoj vetes, e ka bërë atë publikisht, përmes rrjeteve sociale dhe kam marrë mesazhe kërcënuese në inboxin tim privat. Sulmet dhe poshtërimet e tij publike u transmetuan menjëherë nga portalet – të cilat, në luftën për fituar sa më shumë klikime, nuk e morën parasysh qëndrimin tim dhe si ndikon në familjen time, mbi vajzën time. Në shkollë, ajo i dëgjonte ‘rrëfimet e turpshme’ për nënën e saj nga shoqet e saj, prindërit e të cilëve i kanë parë dhe lexuar”, kujton Koroveshovska.

Ajo duhej të gjente një mënyrë për t’ia shpjeguar të gjitha këto vajzës së saj, duke mos ditur, siç thotë ajo, si ta ndihmonte veten. Personi u dënua përfundimisht, por edhe gra të tjera kanë qenë objektiv i torturës së tij.

„Fatmirësisht institucionet e kanë kryer punën e tyre shpejt. Në rastin tim, menaxhmenti i Tv Alfa qëndroi me mua, për sa i përket mbështetjes morale. Për fat të mirë, puna jonë është dinamike dhe shumë e përgjegjshme, ndaj duhet dhe mund të “ngrihemi” dhe t’i kthehemi normalitetit. “Por është fat, mbi të gjitha, që ne jemi gra – më të forta dhe më të mençura“, thotë Koroveshovska.

Madje 66 për qind e grave që kanë qenë viktima të një forme të dhunës me bazë gjinore. Në një sondazh nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, janë përgjigjur se nuk e kanë denoncuar zyrtarisht incidentin. Sipas këtij hulumtimi, të realizuar në vitin 2018, gratë gazetare janë nënshtruar dhunës jashtë vendit të punës gjatë kryerjes së detyrës. Pyetësori i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, i kryer me 400 gra gazetare nga 50 vende, zbulon se 45 për qind e autorëve ishin njerëz jashtë vendit të punës, si për shembull burime, politikanë, lexues apo shikues. Tridhjetë e nëntë për qind ishin kërcënime anonime përmes mediave sociale. Me kërcënimet online dhe ngacmimet e grave gazetare, komentet janë kryesisht me konotacion seksual, me pasoja të mëdha dhe katastrofike për lirinë e informimit.

Një studim i Federatës Ndërkombëtare Mediatike të Grave (International Women media federation) zbuloi gjithashtu se për gratë gazetare, abuzimet online me konotacion seksual janë pjesë e jetës së tyre të përditshme. Dy nga tre gazetare femra u përgjigjën se ishin kërcënuar online të paktën një herë, kurse 40 për qind nuk e kanë denoncuar rastin.

Sondazhi i Federatës Ndërkombëtare Mediatike të Grave është global dhe janë përgjigjur 597 gra gazetare. Sulmet online shpesh u referohen pamjeve të tyre fizike, lidhjeve personale ose familjare, kanë përmbajtje seksiste dhe janë të dizajnuara për të frikësuar ose vënë në siklet. Ata gjithashtu vënë në dukje se kualifikimet profesionale dhe kapaciteti intelektual i grave gazetare u kontestohen thjesht sepse ato janë të gjinisë femërore. Ndonjëherë u shpërndahen fotografi dhe i kërcënojnë shëndetin e tyre fizik. E përbashkëta e të gjitha këtyre sulmeve është se ata synojnë t’i diskreditojnë gratë gazetare, t’ua dëmtojnë reputacionin e tyre dhe, në fund, t’ua mbyllin gojën!

Dhe, jo vetëm që janë një goditje për karrierën e gazetareve, por njëkohësisht janë edhe një goditje për jetën e tyre personale.

Për gratë gazetare, ofendimet dhe ngacmimet të tilla mund të çojnë në stres emocional dhe trauma psikologjike afatgjate. Viktimat mund të kenë nevojë të ndryshojnë rutinën e tyre të përditshme, vendin ku punojnë, shtëpinë për të mbrojtur veten. Tridhjetë e shtatë për qind e grave gazetare të intervistuara zbuluan se ishin të vetë-censuruara, respektivisht se kërcënimet dhe fyerjet online kanë një efekt ftohës, duke ndikuar negativisht në procesin e grumbullimit të informatave dhe lirinë e shprehjes në mbarë botën.

„Duket se kur do të ndodhë kjo, viktima do të denoncojë, por menaxhmenti, edhe pse i ndihmon, duket se është kapur dhe si sikur e pengojmë. Kështu, gratë që denoncojnë nuk e dinë nëse tani janë barrë e dikujt sepse u ka ndodhur një kërcënim i tillë, mbi të cilin nuk kanë kontroll”, thotë një nga gazetaret e intervistuara në këtë sondazh global në kushte anonimiteti.

Me ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal, ndër të tjera, propozohen nene me të cilat në të ardhmen sulmi ndaj gazetarit, kameramanit apo fotoreporterit do të trajtohet si sulm ndaj një zyrtari. Nga Ministria e Drejtësisë – që janë propozues të këtyre ndryshimeve, thonë se qëllimisht nuk është definuar mënyra e kryerjes së sulmit që të jepet hapësirë që çdo sulm të trajtohet në mënyrë të barabartë, përfshirë edhe ato sulme që ndodhin online. Shpresa është që me këtë, Prokuroria Publike, sipas detyrës zyrtare, do t’i procesuojë sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik, pa qenë nevoja që ata të ekspozohen ndaj proceseve gjyqësore të shtrenjta private.

Останати
објави

Сподели на...