Shkruan: Biljana Nikollovska
Ky është një “material për t’u lexuar” për dy ish-kolegë, të punësuar në të njëjtën media, të cilët sot nuk janë më pjesë e gazetarisë dhe mediave. Ata punojnë në profesione krejtësisht të reja, por rrëfimin e tyre për fundin e gazetarisë e kanë treguar përmes ngjarjes që i lidh, pas së cilës i kanë dhënë fund karrierës mediatike. Është e ashtuquajtura “E enjtja e përgjakshme”, titulli i dhënë nga opinioni për incidentet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë që ndodhën më 27 prill 2017, kur një turmë njerëzish, por edhe njerëz të maskuar hynë në shtëpinë ligjvënëse dhe sulmuan dhe mbajtën peng disa deputetë të LSDM-së, si dhe u rrahë edhe deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Por, po atë natë, disa punonjës të mediavr, gazetarë, kameramanë dhe organizatorë u morën peng, u penguan të raportonin për ngjarjen e cila ishte në qendër të vëmendjes së publikut, kurse disa prej tyre u sulmuan fizikisht. Mes tyre edhe dy ish-kolegët tanë. Gazetarja Gabriela Dimkoviq kaloi “më lehtë”, pa u rrahur, por me një sërë traumash. Kameramani Nikola Ordevski kaloi “më rëndë”, pra me sulm fizik. Pas shumë diskutimesh, ata vendosën ta padisin shtetin në Gjykatën Themelore Civile Shkup. Por, ata nuk janë të vetmit. Një grup gazetarësh dhe punonjësish të mediave vendosën të ndërmarrin të njëjtin hap, të bëjnë padi private, pasi Prokuroria nuk i ka njohur si të dëmtuar në paditë që i kanë ngritur sipas detyrës zyrtare, e kanë qenë të lidhur me organizatorët dhe autorët e dhunës.
Gazetarja nuk ka sulm fizik – nuk ka dëmtime, kameramani ka marrë një goditje në kokë – ka edhe dëmtime
„Kërkesa për padi e paditësit Nikola Ordevski PJESËRISHT MIRATOHET. OBLIGOHET Republika e Maqedonisë së Veriut si e paditur që t’i paguajë paditësit kompensim për dëmin jomaterial për shkak të shkeljes së të drejtave personale për shëndetin fizik dhe mendor në shumë prej 190.000 denarë, prej të cilave 70.000 denarë për dhimbje fizike, 60.000 denarë për shkaktimin e frikës dhe për shkaktimin e dhimbjeve shpirtërore 60.000 denarë“.
Kështu shkruan në aktgjykimin me të cilin Gjykata Civile përmes gjyqtares Suzana Dimitriev vendosi se për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, fajtor është shteti, ndaj duhet t’i paguajë dëmin punonjësit mediatik që ka qenë aty për të transmetuar pamjet përmes kamerës së tij e të cilat nuk kanë qenë aspak të këndshme. Në padinë që e ka ngritur kameramani, ai ka deklaruar se ka qenë në detyrë zyrtare në Kuvend dhe se derisa po mbahej konferenca për media e presidentit të sapozgjedhur Talat Xhaferi, ka ndodhur hyrja e turmës së inatosur. Ai është tërhequr mbrapa për të dalë, por ka marrë një goditje në kokë, për shkak të së cilës ka qenë në pavetëdije për 10-15 minuta dhe nuk e ka ditur se çfarë po ndodhë. Gjatë orëve në vijim ka dëgjuar „vrisni ata“ dhe zhurmën e shok-bombave dhe gjatë gjithë kohës nuk e ka ditur nëse do të mbijetojë. Ai ka mbetur i mbyllur në Parlament, pa leje për t’iu përgjigjur telefonatave të familjes dhe, pasi është evakuuar, është dërguar në Spitalin e Qytetit dhe, për shkak të plagëve të marra, është shtruar në Kujdes Intensiv.
Megjithatë, Avokati i Shtetit, i cili e ka përfaqësuar shtetin, ka vlerësuar se kameramani nuk kishte arsye për të marrë dëmshpërblim. Është ankuar sepse për të njëjtën ngjarje tashmë është zhvilluar procedurë penale dhe tashmë është konstatuar përgjegjësi dhe janë dënuar disa persona me aktgjykim të plotfuqishëm, për çka detyrimi për dëmshpërblim bie mbi tashmë të dënuarit. Mirëpo, në fund gjykata vendosi se sipas Ligjit për marrëdhënie obliguese dhe duke cituar disa nene të tij, shteti është përgjegjës nëse dikush lëndohet gjatë demonstratave dhe manifestimeve publike dhe duhet ta mbulojë dëmin, e më pas të kërkojë kompensim nga organizatorët ose nga autorët e dhunës gjatë atyre demonstratave publike. Ky aktgjykim është dhënë më 15 nëntor 2021, është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet nga të dyja palët. Ordevski, nga ana tjetër, thotë se ndjehet i lodhur nga procesi gjyqësor, por edhe se nuk punon më në biznesin mediatik.
„Kërkesa për padi e paditëses Gabriela Dimoviq për kompensim të dëmit jomaterial prej 350.000 denarë, për shkak të shkeljes së të drejtave personale në emër të frikës së shkaktuar REFUZOHET SI E PABAZË. OBLIGOHET Republika e Maqedonisë së Veriut si e paditur që të kompensojë shpenzimet në procedurë, në shumë prej 26.500 denarë“.
Ky është aktgjykimi i gjykatësit Artan Limani nga Gjykata Themelore Civile Shkup, në të cilin gazetarja, e cila ka qenë pjesë e incidenteve në Kuvend, ka kërkuar dëmshpërblim nga Shteti. Por, gjykatësi ka vendosur se ajo nuk kishte të drejtë në një kërkesë të tillë. Në padi ajo ka nënvizuar se ka dëgjuar zhurmë të madhe, britma, ka menduar se ky është fundi dhe se do të vdiste, kurse koha e kaluar në Parlament ishte si përjetësi.
Pasi daljes nga atje, ajo është ndjerë e frikësuar për ditë të tëra, nuk ka mundur të bëjë gjumë dhe, megjithëse ka pasur përmirësim të lehtë në ditët në vijim, gjendja e saj është përkeqësuar sërish në fillim të shtatzënisë. Por, kjo nuk do të thoshte asgjë për Avokatin e Shtetit, sepse ai është përgjigjur se është e qartë se shteti nuk ka faj, sepse shteti nuk i ka shkaktuar dëm gazetares. Ka shkruar gjithashtu se ajo ka mundur të kërkojë në procedimin penal, që është zhvilluar për të njëjtën ngjarje, ku janë njohur dhe dënuar autorët e dhunës. Gjykata është pajtuar me konstatimet e këtilla, veçanërisht pasi paditësja nuk ka qenë e sulmuar fizikisht.
„Duke pasur parasysh dispozitën e nenit 166 paragrafi 1 të LMO, është mjaft e qartë se i pandehuri, pra shteti përgjigjet vetëm për dëmet të shkaktuara nga vdekja, lëndimi trupor ose dëmtimi, respektivisht shkatërrimi i pasurisë për shkak të aktit të dhunës, siç ishin në fakt ngjarjet e 27 prillit 2017. Për Gjykatën, frika e pësuar në mungesë të lëndimit trupor është juridikisht e rëndësishme për dëmshpërblim, por nga personat që e
kanë shkaktuar dhunën. Gjykata Penale në Shkup i ka shpallur fajtorë kryesit e veprës penale dhe ata janë të njohur për paditësen, e cila në procedurë tjetër mund të realizojë të drejtën e kompensimit për frikën që ka pësuar“, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Civile.
Ky aktgjykim është miratuar më 20 mars të vitit 2021, por Dimoviqi ka vendosur të mos ankohet në Gjykatën më të lartë të Apelit. Ajo thotë se nuk ka besim në drejtësinë, e cila nuk e sheh pasqyrën më të gjerë të punës gazetareske dhe përgjegjësinë për të informuar publikun për ngjarje të tilla dhe të ngjashme, dhe ajo ka frikë se kostot edhe ashtu tashmë të larta gjyqësore vetëm se do të rriten.
Avokati që i ka shkruar dy paditë dhe që i ka përfaqësuar punonjësit e mediave pa kompensim është Xvonko Davidoviq. Ai thotë se referimi i Dimoviqit nga gjykata për t’i paditur të dënuarit nga ngjarjet e 27 prillit është shumë i ndërlikuar, duke pasur parasysh rastet dhe aktgjykimet e shumta që gjykata i ka sjellë në procedurë penale.
„Ligji për marrëdhëniet obliguese realisht përcakton se shteti përgjigjet në rast të vdekjes, lëndimit trupor apo dëmtimit për shkak të akteve të dhunës apo terrorit gjatë demonstratave dhe manifestimeve publike, pavarësisht nga faji. Të mësuar nga përvoja nga ngjarjet e 27 prillit që ndodhën në Kuvend dhe ku kishte shumë gazetarë dhe kameramanë që kryenin punën e tyre, e cila gjithsesi është në interes të publikut, mendoj se duhet të ndryshojë Ligji për marrëdhëniet obliguese sa u përket ngjarjeve të tilla kur bëhet fjalë për gazetarët, kameramanët dhe mjekët, të cilët detyrohen të bëjnë punën e tyre në rrethana të tilla“, tha Davidoviq.
Gjyqësor dekurajues, vetëm pesë padi të ngritura, katër kanë përfunduar në favor të shtetit, një ende po vazhdon
Zyra e Avokatisë e Filip Medarskit dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë vendosën të ndihmojnë gazetarët që duan të padisin shtetin për ngjarjet e 27 prillit 2017 në Kuvend. Në thirrjen që e publikuan u paraqitën vetëm pesë gazetarë dhe dy punonjës mediatik dhe u parashtruan gjithsej pesë padi, pavarësisht se natën e “Të enjtes së përgjakshme”, dhjetëra përfaqësues të mediave u penguan të kryejnë detyrën. Por, paditë e parashtruara përfunduan në mënyrë të palavdishme, të paktën tani për tani në gjykatën e shkallës së parë. Katër padi janë refuzuar, kurse një proces gjyqësor vijon. Nga paditë e refuzuara, tri janë në bazë të ankesës, ndërsa vetëm njëra është e plotfuqishme dhe tashmë është dorëzuar kërkesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave në Gjykatën Kushtetuese të RMV-së dhe është duke u përgatitur një aplikacion në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
„Refuzimi i padive është më shumë çështje juridike sesa faktike. Në fakt, Gjykata Themelore Civile pretendon se, sipas të drejtës obliguese, më saktësisht sipas nenit 166 lidhur me nenin 189 të Ligjit për marrëdhënie obliguese, gazetarët nuk kanë pasu të drejtë të kërkojnë kompensim për frikën e pësuar për shkak se nuk ka pasur lëndim trupor. Mirëpo, neni 189 i Ligjit për marrëdhënie obliguese parasheh që edhe në mungesë të lëndimit trupor, nëse rrethanat e arsyetojnë atë, mund të caktojë dëmin jomaterial për frikën e shkaktuar. Madje ekziston edhe një praktikë gjyqësore, një aktgjykim i formës së prerë i Gjykatës ku është shqiptuar një shumë vetëm për shkak të frikës“, thotë Lazar Sandev, avokat nga Zyra e Avokatisë Medarski.
Paditë e ngritura nga gazetarët u referohen dy bazave, përkatësisht kompensimin e dëmit jomaterial, por ajo që është edhe më e rëndësishme, në emër të së drejtës dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes. Për avokatin Lazar Sandev, gazetarët e përfshirë kanë ngritur padi private sepse vepra penale për të cilën të pandehurit janë ndjekur në procedurë penale, për rrezikim terrorist të rendit kushtetues, është vepër penale kundër shtetit.
„Për këtë arsye ishte kontestuese nëse gazetarët do të mund të paraqiteshin në procedurë penale në cilësinë e të dëmtuarve. Prandaj, për të mbrojtur ligjin, në afatin e paraparë me ligj është dashur të bëjmë padi për të kërkuar dëmshpërblim nga shteti për shkak të ekzistimit të bazës së përgjegjësisë objektive, respektivisht se shteti nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura për mbrojtjen edhe të gazetarëve që kanë qenë të pranishëm në Parlament më 27.04.2017“, thotë Sandev.
Pavarësisht tentativave për të mësuar më shumë nga Gjykatat për paditë e punonjësve mediatik, lidhur me dhunën në Kuvend, ata thonë se sistemi AKMIS nuk i njeh sipas ngjarjes dhe nëse shërbimet kërkojnë dëmshpërblim për dëmin jomaterial, do të shfaqen një numër i madh i rasteve. Por, thonë ata, në Gjykatë gjykohet vetëm në bazë
të legjislacionit pozitiv të vlefshëm.
„Fakti që vendimet e marra prej saj janë vendime të shkallës së parë, të cilat nuk janë përfundimtare, të njëjtat, sipas ligjit, i nënshtrohen mjetit të rregullt juridik – ankesës, për të cilën vepron menjëherë gjykata kompetente më e lartë, e cila e vlerëson ligjshmërinë e vendimit të shkallës së parë. Në fakt, kjo gjykatë po bën punën e saj dhe gjykon sipas ligjeve në fuqi dhe jo në bazë të komente të publikut, sepse padyshim do të ishin presion mbi gjyqësorin dhe vendimmarrjen e tij të pavarur në çdo rast individual, kundrejt provave të paraqitura gjatë procedurës“, thonë nga Gjykata.
Ministria e Drejtësisë nuk i komenton vendimet e gjykatës, por do të ndryshojë
ligjin
„Duke respektuar parimin e pavarësisë së gjyqësorit, Ministria e Drejtësisë nuk mund të komentojë procedura për lëndë konkrete gjyqësore“.
Një përgjigje të tillë e morëm kur e pyetëm Ministrinë e Drejtësisë, nëse këto vendime të Gjykatës Civile ua „hapin derën“ gazetarëve, që të lënë incidentet në vend që të raportojnë për to, sepse nuk mbrohen dhe as nuk marrin dëmshpërblim nga shteti.
Mirëpo, nga Ministria thonë se i kanë iniciuar ndryshimet në Kodin Penal, ku sulmi ndaj gazetarit do të konsiderohet si sulm ndaj personit zyrtar. Në pjesën për pengimin e personit zyrtar në kryerjen e veprimit zyrtar, që është vepër e dënueshme me gjobë në të holla ose me burgim deri në tre vjet, por edhe nëse autori e ka fyer ose ngacmuar personin zyrtar ose i ka shkaktuar lëndime trupore ose e ka kërcënuar me përdorimin e një armë, që dënohet nga tre muaj deri në tre vjet burg, tani, ndër të tjerët, hynë edhe gazetarët dhe punonjësit mediatik.
„Personi i cili kryen një vepër kundër një personi zyrtar, avokati, mjeku ose punonjësi tjetër shëndetësor, gazetari ose punonjësi tjetër mediatik ose personi tjetër që kryen veprimtari me interes publik gjatë kryerjes së detyrave profesionale ose në lidhje me kryerjen e detyrave profesionale të ndërmarra në kuadër tе kompetencave të tij ose personi që ndihmon gjatë kryerjes së veprimtarive të sigurisë publike ose mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me parandalimin ose zbulimin e një krimi, kapjen e kryerësit të një krimi, ruajtjen e rendit publik ose ruajtjen e një personi të privuar nga liria, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet“, thuhet në ndryshimet e ligjit.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme shtojnë se me ndryshimet në fjalë do t’i mundësohet Prokurorisë Publike që të veprojë sipas detyrës zyrtare.
„Burgim deri në tre vjet është paraparë për sulm ndaj gazetarit apo punonjësit mediatik, për fyerje online apo fyerje personale ndaj gazetarëve, dhe kështu i mundësohet Prokurorisë Publike të veprojë sipas detyrës zyrtare për sulm ndaj gazetarit – me çka u plotësua kërkesa e kamotshme e shoqatave mediatike në vend”, thonë nga MPB-ja.
Por, pavarësisht se këto ndryshime janë paralajmëruar prej disa vitesh, ato assesi të votohen. Kaluan në Qeveri, por jo në Parlament. Ato ende janë në procedurë parlamentare, kështu që kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mladen Çadikovski, në ditën ndërkombëtare për eliminimin e mosndëshkimit të sulmeve ndaj gazetarëve tha se pikërisht 27 prilli është simbol i mosndëshkimit.
„Çfarë fituam ne nga 27 prilli – ne morëm edhe një mesazh tjetër se jemi të penguar që ta bëjmë punën tonë ashtu siç e meritojnë qytetarët. Dhe, ne nuk jemi këtu për të kërkuar solidaritet nga qytetarët, por jemi të vetëdijshëm se ky është problem i ynë i përbashkët, i neve gazetarëve dhe publikut, të cilit duhet t’i shërbejmë. Prandaj kjo është detyrë e të gjithëve, ndaj për këtë ne investojmë në drejtësi. Drejtësi për 27 prillin edhe për ne edhe për ata që i përfaqësojmë dhe për të cilët ekzistojmë“, tha Çadikovski.
Ndryshimet i presim edhe avokatët
„Shpresoj që ndryshimet në KP (Kodin Penal) do të sjellin ndryshime pozitive gjatë kryerjes së punës së gazetarëve. SHGM-ja ishte shumë aktive sa i përket kësaj çështjeje dhe vlerësoj se me ndryshime të tilla do të zvogëlohet i ashtuquajturi ‘efekt ftohës’ – që do të thotë se gazetarët do të ndihen të sigurt se askush nuk do të mund t’i sulmojë ose, nëse ndodh që të sulmohen, prokuroritë kompetente do të duhet të jenë më të azhurnuar dhe më ekspeditivë në hetimet kundër autorëve”, thotë avokati Lazar Sandev.
Të drejtën e lirisë së shprehjes e përmban neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe është një standard evropian me rëndësi të madhe demokratike. Pikërisht mbrojtja e gazetarëve nga të gjitha llojet e sulmeve verbale, fizike, kërcënimet, në pengimin gjatë kryerjes së detyrave të punës do të nënkuptojë edhe mbrojtje e të drejtës së shprehjes dhe lirisë së informimit të publikut.
Сторијата е изработена во рамки на проектот „Безбедни новинари во кризни ситуации“ (Кeeping Journalists Safe in Situation of Crisis) финансиран од програмата на УНЕСКО – „Global Media Defence Fund”, а во реализација на Здружението на новинарите на Македонија и Самостојниот синдикат на новинари и медиумски работници.
Авторот е одговорен за изборот и презентирањето на фактите содржани во оваа видеосторија и за изразените мислења, кои не се нужно оние на УНЕСКО и не ја обврзуваат Организацијата.
Употребените назнаки и презентацијата на материјалот во оваа видеосторија не подразбираат изразување на какво било мислење од страна на УНЕСКО во врска со правниот статус на која било земја, територија, град или област или тамошните власти, или во врска со разграничувањето граници.