Përfundimi i mosndëshkimit kusht kryesor për zvogëlimin e sulmeve ndaj gazetarëve

Датум

Shkruan: Enis Murtezi

Liria e shprehjes është një tregues i vlefshëm për kapacitetin dhe rregullimin institucional të demokracisë në shoqëri. Në të njëjtën kohë, liria e shprehjes nuk është një e drejtë absolute, por mbartë me vete detyra dhe kufizime që shfrytëzuesit e hapësirës online shpeshherë nuk i respektojnë. Në këtë kontekst, në rrjetet sociale, në komentet e postimeve, por edhe në komunikimin e ndërsjellë, shpesh mund të vërehet përdorimi i kërcënimeve, ofendimeve, mallkimeve, si dhe gjuhës së urrejtjes ndaj grupeve dhe individëve të ndryshëm. Kjo nuk bën pjesë në lirinë e shprehjes dhe nuk gëzon mbrojtje nga ligjet që e rregullojnë lirinë e shprehjes. Në këtë analizë do të trajtojmë (pa)sigurinë e gazetarëve, që është parakushti kryesor për informim cilësor dhe në kohë.

Liria e shprehjes, paraqitja publike, informimi publik kundrejt sigurisë së gazetarëve janë tema të lidhura në mënyrë të pandashme që depërtojnë në poret më të rëndësishme të gazetarisë. Ato janë, në fakt, një nga treguesit kryesorë të pjekurisë së një shoqërie ose demokracie në një vend për t’u ballafaquar me sfidat me të cilat përballet gazetaria.

Ndër problemet dhe sfidat kryesore që tërhiqen zvarrë në hapësirë mediatike prej vitesh janë: pozita e keqe ekonomike e disa gazetarëve, presioni financiar mbi disa media nga qendra të ndryshme politike dhe biznesi të pushtetit, si dhe përpjekjet për të ndikuar në gazetari ose në politikën redaktuese të ndonjë media në mënyrë brutale, duke dërguar kërcënime për sigurinë e gazetarëve, redaktorëve ose punonjësve të mediave.

Siç theksuam, parakushti bazë për kryerjen profesionale të detyrave gazetareske dhe për informimin objektiv dhe në kohë të qytetarëve është pikërisht siguria e gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Garantimi i sigurisë së ekipeve gazetareske e demonstron gjithashtu kapacitetin demokratik të një shoqërie, pasi u lë hapësirë ​​gazetarëve të ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm në mënyrë që të përmbushin interesin publik. Prandaj, çështjet e sigurisë së gazetarëve janë një nga treguesit bazë me të cilët merret edhe Komisioni Evropian kur i monitoron shtetet që kanë statusin e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Në raportet vjetore të Komisionit Evropian (KE), në Kapitullin 23, që ka të bëjë me gjyqësorin dhe të drejtat e njeriut, përveç shkallës së lirisë së shprehjes, jepen edhe kualifikime në kontekstin e sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve mediatik, si dhe politika e mosndëshkimit në rastet e shkeljes së të drejtave të tyre. Në disa raporte të fundit të KE-së, një nga problemet kryesore që ka vazhduar prej vitesh është niveli i lartë i mosndëshkimit për sulmet ndaj gazetarëve.

Qëndrimi i shtetit ndaj këtij problemi është një nga treguesit kryesorë, i cili ndihmon në përcaktimin e vendit si të lirë, pjesërisht të lirë ose jo të lirë. Rritja e vendit në shkallën që mat lirinë e shprehjes, përveç disa faktorëve të tjerë, përcaktohet kryesisht nga marrëdhëniet e institucioneve shtetërore (MPB, Prokuroria Publike, gjykatat) dhe aktorët shoqërorë (Qeveria, partitë politike, organizatat joqeveritare, publiku) për këtë problem. Jo vetëm sa i përket (mos) ndëshkueshmit për këto vepra, por edhe duke krijuar një klimë të përgjithshme që stimulon ose dekurajon akte të tilla kundër gazetarëve dhe punonjësve mediatik.

Në dy vitet e fundit, në regjistrin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), janë regjistruar më shumë se dhjetë sulme verbale ndaj gazetarëve. Shumica e sulmeve janë kërcënime të dërguara në rrjetet sociale. Fatkeqësisht, megjithëse shumica e sulmeve u raportuan në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) ose Prokurorinë Themelore Publike (PTHP), vetëm njëri nga autorët u dënua nga gjykata.

Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale në MPB është përgjegjës për hulumtimin dhe zbardhjen e kërcënimeve digjitale ndaj gazetarëve. Edhe pse shoqatat e gazetarëve shpesh raportojnë kërcënime ndaj gazetarëve në Sektorin e Krimit kompjuterik, numri i rasteve në të cilat MPB-ja ka vepruar sipas raporteve të tilla është ende shumë i vogël. Sipas të dhënave që i kemi marrë nga MPB-ja, 12 raportime të gjuhës së urrejtjes ndaj gazetarëve janë marrë në adresën e tyre në vitin 2020, ndërsa këtë vit, tre raportime janë dorëzuar deri më tani. Nga MPB-ja, po ashtu, informojnë se Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka ngritur akuza kundër një personi nga Tetova, i cili ka dërguar kërcënime me vdekje ndaj shumë mediave në një rrjet social.

„SPB Tetovë ngriti kallëzim penal kundër A.E. (36) nga fshati i Tearcë – Tetovë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “rrezikimi i sigurisë“. Më 22 mars 2021, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë raportoi se në rrjetin social ‘Facebook’, i pandehuri postoi një tekst me kërcënime ndaj gazetarëve të shumë mediave”, thonë nga MPB-ja.

Rasti i vetëm që mori epilog gjyqësor dhe sulmuesi u ndëshkua në gjykatë është rasti i personit Emil Jakimovski, i cili bëri kërcënime ndaj gazetareve Meri Jordanovska dhe Iskra Koroveshovska. Në regjistrin e kërcënimeve mund të shihen edhe emrat e politikanëve që kërcënuan gazetarët dhe mbetën të pandëshkuar nga institucionet përkatëse.

Gazetarja Meri Jordanovska, në lidhje me gjuhën e urrejtjes, na deklaroi se gjatë punës së saj, ajo shumë herë është përballur me fyerje dhe kërcënime të llojeve të ndryshme. Sipas saj, gazetaret gra sulmohen kryesisht në bazë të gjinisë. Ajo rrëfeu në detaje rastin e anëtarit të VMRO-DPMNE-së, Emil Jakimovski, rast ky për të cilin thotë se thjeshtë nuk mund të heshte.

„Shpesh heshtja para fyerjeve, por ajo për të cilën nuk mund të heshtja ishte ajo që më ndodhi vitin e kaluar, kur zëdhënësi i atëhershëm i Regjistrit Qendror, anëtar i VMRO-DPMNE-së, Emil Jakimovski, herët në mëngjes, rreth orës 5 ora, kur ka vërejtur se po lidhen në rrjetit telekomunikues „Telegram“ ka filluar të më dërgonte mesazhe kërcënuese dhe fyese. „Do të të shohim në nekrolog“, „mercenare e huaj“, „e di ku jetoni saktësisht“, fotografi me pranga në duar – ishin vetëm disa nga mesazhet që më dërgoi Jakimovski, që ishte tmerrësisht shqetësuese për mua. Për më tepër, në ditët në vijim zbulova se ai ishte i denoncuar edhe për dhunë në familje dhe se me fyerje dhe kërcënime të ngjashme janë përballur edhe koleget e mia të tjera, si dhe punonjës të Regjistrit Qendror. Kjo është arsyeja pse unë vendosa të raportoj rastin që, për habinë time, u zgjidh shumë shpejtë. Çështjen e mori Njësia e Krimit të Dhunshëm në MPB dhe së bashku me Departamentin e Dhunës në Familje, ata e lidhën rastin tim me rastin e ish-gruas së tij, e cila ishte zvarritur nëpër labirintet e gjykatës prej vitesh. Jakimovski u dënua me një vit e tetë muaj burg dhe u dërgua në trajtim të detyrueshëm. Ai ende po vuan dënimin me burg“, na deklaroi Meri Jordanovska.

Nga ana tjetër, gazetari Furkan Saliu thotë se kërcënimet online janë aq të shpeshta saqë pas një kohe ai nuk i merr seriozisht dhe se nuk e ka raportuar një rast të tillë deri më tani.

„Unë nuk kam raportuar deri më tani, sepse nuk i marr seriozisht. Dhe, pse duhet t’i raportoj? – Kishte kërcënime edhe më serioze për gazetarët, por që nuk kanë përfunduar me aktgjykime. Thjesht, sikurse Prokuroria dhe Gjyqësori që i trajton këto raste, edhe ne kemi filluar t’i trajtojmë ato”, na deklaroi Furkan Saliu.

Vetëm përmes ndryshimeve konkrete të Kodit Penal, duke i dhënë kompetencë Prokurorisë të veprojë sipas detyrës zyrtare dhe duke rritur dënimet për sulmuesit, siguria dhe politika e mosndëshkimit për gazetarët dhe punonjësit mediatik do të përmirësohet sistematikisht. Përveç kësaj, shoqatat e gazetarëve po kërkojnë që të krijohet një Njësi speciale në Prokurorinë Themelore Publike për të punuar në zbardhjen e sulmeve ndaj gazetarëve.

Në këtë kontekst, SHGM dhe SPGPM janë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Drejtësisë për të bërë ndryshime ligjore, që do të sigurojnë një mjedis pune më të sigurt për gazetarët dhe punonjësit mediatik. Ndryshimet ligjore duhet të votohen njëzëri në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Partitë duhet ta vënë këtë çështje lartë në agjendat e tyre, nëse duan të bëjnë përparim të vërtetë në pjesën e sigurisë së gazetarëve.

Deputeti nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Adnan Neziri, na tha se mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes është motivi kryesor për përhapjen dhe rritjen e rasteve të gjuhës së urrejtjes. Sipas tij, institucionet janë fajtorët më të mëdhenj për mosveprimin në këto raste. Ai njoftoi se koalicioni i tyre do të mbështesë ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat sulmi ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik do ta trajtohet si sulm ndaj një personi zyrtar.

„Edhe në ato pak raste kur inkurajohen hetime dhe raste, ato përfundojnë në sirtarë dhe bëhen të vjetërsuara si lëndë. Institucionet janë fajtorët kryesorë, dhe ne shpesh dëgjojmë dhe lexojmë gjuhë urrejtjeje nga drejtuesit e institucioneve. Ne jemi për një ligj të tillë dhe unë personalisht, por edhe si parti, jo vetëm që do t’i mbështesim, por edhe do të këmbëngulim që ligji të miratohet sa më parë. Por, përveç sulmeve, gazetarët duhet të mbrohen edhe nga aspekti social, si dhe nga torturat psikologjike, mobingu dhe censura“, deklaroi deputeti Adnan Neziri.

Përpjekjet e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) kanë për qëllim ndryshimin e Kodit Penal dhe shtrëngimin e dënimeve për kërcënuesit dhe sulmuesit e gazetarëve. Janë bërë aktivitete të shumta, punëtori, doracakë dhe trajnime për të përmirësuar bashkëpunimin midis institucioneve dhe gazetarëve në mënyrë që të përmirësohet siguria e gazetarëve.

Milan Spirovski nga SHGM-ja thotë se është e rëndësishme që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të kryejë hetime urgjente për të përcaktuar identitetin e personave që nxisin gjuhën e urrejtjes përmes komenteve në rrjetet sociale, dhe pastaj Prokuroria Themelore Publike të iniciojë rast përmes të cilit ata do të sanksionohen në përputhje me Kodin Penal. Sipas tij, këto dy institucione duhet të kuptojnë seriozitetin e mosndëshkimit të gjuhës së urrejtjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që duhet të ndalet në mënyrë që të shmangen aktet e gjuhës së urrejtjes. Nga ana tjetër, ai thotë se mosbesimi i gazetarëve ndaj këtyre institucioneve është i justifikuar.

„Shikuar nga perspektiva e vitit të kaluar, vërehet një numër në rritje i kërcënimeve dhe sulmeve online mbi gazetarët dhe joefikasiteti i institucioneve në ndëshkimin e sulmuesve. SHGM-ja regjistron 14 sulme dhe kërcënime, nga të cilat më shumë se gjysma kundër gazetareve. Fatkeqësisht, vetëm një nga këto raste është zgjidhur në gjykatat e Shkupit. Ky mosbesim ndaj institucioneve është i justifikuar pikërisht për shkak të inercisë së tyre, domethënë mosveprimit sipas raportimeve të gjuhës së urrejtjes online drejtuar gazetarëve. Vijon procedura për përgatitjen e Kodit të ri Penal, i cili do të përfshijë edhe veprat penale që do të rrisin nivelin e mbrojtjes së gazetarëve dhe punonjësve mediatik”, deklaroi Milan Spirovski nga SHGM-ja.

Rekomandime se si të përmirësohet situata me gjuhën e urrejtjes online:

– Trajtimi urgjent i rasteve të gjuhës së urrejtjes dhe ndëshkimi i autorëve. Me këtë dekurajohen njerëzit e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë;

– Të rritet monitorimi i rrjeteve sociale dhe përmes indikacioneve dhe fushatave të veprohet për zvogëlimin e gjuhës së urrejtjes;

– Rritja e vetëdijes së përgjithshme shoqërore për këtë çështje, veçanërisht në mesin e kategorive të reja të popullatës, të cilët më së shpeshti shfaqen si krijues të gjuhës së urrejtjes;

– MPB-ja dhe Prokuroria Publike duhet të kuptojnë seriozitetin e mosndëshkimit të gjuhës së urrejtjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që duhet të ndalet për të shmangur aktet e gjuhës së urrejtjes;

– Miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal, me të cilat sulmi ndaj gazetarëve do të trajtohet si sulm ndaj një personi zyrtar;

– Stimulimi i gazetarëve për të raportuar rastet e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale. Nuk duhet të heshtet përballë fyerjeve dhe kërcënimeve – kjo është mënyra e vetme për të rritur ndërgjegjësimin dhe të sanksionohen autorët.

Останати
објави

Сподели на...