Protesta paqësore – „terren i trazuar“ për raportim!

Датум

Shkruajnë: Svetlana Bozinovska

Protestat kanë qenë gjithmonë një terren „i trazuar“ për raportim. Në parim paralajmërohen si „paqësore“, por shpeshherë protestat masive përfundojnë me incidente, kryesisht mes policisë dhe protestuesve, por edhe „armiqësore“ ndaj ekipeve gazetareske.

„Ekspozimi ndaj rrezikut të vazhdueshëm në profesionin e gazetarisë mund të çojë në një përvojë post-traumatike“, thotë Milka Ololovska, psikologe. Ndonëse një ngjarje, marsh apo protestë është paralajmëruar në formë paqësore, për ekipin gazetaresk është një lloj shqetësimi nga ajo që i pret, nga e panjohura. Sipas saj, kjo mund të shkaktojë stres të akumuluar të vazhdueshëm që ndërlidhet me punën.

„Mendimi se si person integriteti juaj është i kërcënuar dhe i ekspozuar ndaj vullnetit të turmës është shqetësues dhe stresues. Në profesionin e gazetarisë është shumë e vështirë të ndash angazhimin privat nga ai profesional. Për më tepër, presion shtesë krijon censura e audiencës, publikut, kolegëve, si do të raportohet për ngjarjen dhe ngjashëm. Zakonisht paraqitet sindroma post-traumatike. kur ka vazhdimësi të ekspozimit ndaj stresit. Është më mirë të kryhet psikoterapi për të përballuar më lehtë stresin dhe gjendjen në të cilën ndodhet gazetari apo kameramani. Stresi ndikon në shëndetin fizik dhe mendor. Ekuilibri ndryshon në mënyrë fiziologjike, në organizëm tajiten sekrecionet, ndodh djersitja, njeriu tensionohet shumë“, shpjegon psikologia Ololovska.

Pas sulmeve fizike dhe verbale – mbështetje e domosdoshme psikologjike

Praktika e deritanishme e punës me persona të cilët janë të ekspozuar ndaj stresit në baza ditore në kryerjen e detyrave profesionale, siç thotë Ololovska, krijon nevojë urgjente që çdo institucion, veçanërisht mediat, të kenë një departament të veçantë për mbështetje psikologjike të punonjësve.

„Shpesh ekipet gazetareske lihen të vetme në garë me kufizimin kohor për të marrë informacionin në kohë, për të qenë të saktë dhe objektiv dhe për t’iu plasuar në kohë audiencës. Nuk mund të jesh i përgatitur paraprakisht për situata të tilla, sepse nuk e di kurrë se në çfarë do të hasni. Psikologjia e turmës mund të çojë në sulme, fyerje dhe madje edhe në konfrontime fizike. Gjëja më e rëndësishme është ruajtja e integritetit fizik dhe mendor. Gazetari duhet doemos të krijojë një ‘armë mbrojtëse’ dhe një mekanizëm mbrojtës psikologjik personal“, thotë psikologia Ololovska.

Por, çështja është se si arrihet kjo në kushtet kur rreziku në punën e gazetarisë është pjesë përbërëse e profesionit?

„Natyrisht, me ndihmën profesionale. Rreziku ekziston gjithmonë. Shkon në shtëpi me frikë, i rënduar nga ngjarjet e përditshme, nën tension. Gazetarët duhet të punojnë vazhdimisht për vetë-motivimin, jo të marrin përvojën e të tjerëve si të tyre. Prandaj, është nevojë urgjente që çdo institucion të mendojë për të pasur një këshilltar psikologjik i cili do të punojë me gazetarët, për problemet dhe nevojat e tyre, sepse ky është një profesion me të vërtetë me rrezikshmëri të lartë“, është decide Ololovska.

Në „këpucët gazetareske“: eksperienca në terren, si raportimi nga një protestë u bë arenë sulmesh!

„Njerëz, hapa të shpejtë, herë pas here nga ndonjë sharje dhe të bërtiturash në sfond, frikë, pasiguri… Dëgjoj zëra, dikush më afrohet nga pas dhe unë shtyp stilolapsin, i cili më mavijosi pëllëmbën e dorës sime… Pastaj vetëm një zhurmë e fortë, grushte. dhimbje, nuk di nga ku të mbrohem, u bë një rrëmujë e vërtetë, mu bë terr para syve“, kështu e kujton gazetari Aleksandar Todeski sulmin në protestën e nismës „Për Maqedoni të përbashkët“, që ndodhi rreth pesë vjet më parë. Ai thotë se, edhe pas gjithë kësaj kohe, ende ndjen frikë dhe shqetësim. Atë ditë, i vetmi mendim i tij ishte të raportonte në kohë për ngjarjen për shkak të kaosit në qytet dhe protestave. Por ajo që u paralajmërua si protestë paqësore dhe jopartiake u bë arenë sulmi!

„Ishte një sezon protestash. Si kameramani ashtu edhe unë u sulmuam nga pas nga dy persona, duke u goditur me shqelma dhe grushte. Ne të dy u dërguam me ambulancë në Qendrën Urgjente. Ajo që përjetuam ishte e tmerrshme, jo vetëm si dhunë ndaj një personi, por edhe si dhunë në vendin e punës që, natyrisht, e ngriti pyetjen nëse e njëjta gjë do të lejohej të ndodhte si çdoherë, nesër me një koleg tjetër“, shpjegon Todeski.

Rasti kishte një vendim gjyqësor për njërin nga sulmuesit, por, siç thotë Todeski, ishte i ngadaltë, i butë dhe degradues. Kjo i dhemb më shumë se sulmi.

„Rasti ynë u zgjidh me një dënim prej gjashtë muajsh për një nga sulmuesit – person i cili ende punon në Qytetin e Shkupit. Edhe pse zgjidhja e këtij rasti duhej të ma kthente besimin tek sistemi, hidhërimi mbeti për faktin se institucionet nuk arritën të gjenin autorin e dytë, ndaj drejtësia u vendos pjesërisht. Ajo që lë hidhërim të madh është fakti se këto sulme nuk ndalen jo vetëm fizike, por edhe ato verbale dhe që rrallëherë përfundojnë me ndëshkim për sulmuesin. Sa herë që kaloj pranë portës „Maqedoni“, doemos e kujtoj ngjarjen dhe mendoj se gjurmët e lëna nga kjo ngjarjeje nuk mund të kalojnë“, shpjegon Todeski.

Edhe gazetarët edhe kameramanët janë në të njëjtin rrezik sigurie…

Të udhëhequr nga vala e emocioneve, por edhe dhuna e pajustifikuar – ka momente kur nuk jemi të vetëdijshëm se mund të „çojmë dorë“ ndaj fqinjit të parë me të cilin duhet të takohemi çdo ditë. Një përvojë të tillë ka pasur edhe kameramani Vlatko Zhelçeski.

„Një nga sulmuesit është fqinji im i parë sot, shihemi çdo ditë në lagje, në rrugë, mbase ndjesia është paksa e pakëndshme, por nuk kam për çfarë të turpërohem. Në këtë profesion punoj me përkushtim dhe me dashuri që nga viti 2003. Nëse nuk do të ishte kështu, do ta kisha lënë shumë kohë më parë, veçanërisht pas sulmeve. Por, vendosa të qëndroj. Është edhe më e vështirë me kalimin e viteve, por duhet ta duam dhe ta respektojmë atë që bëjmë, sepse jemi sytë dhe veshët e qytetarëve“, thotë kameramani Zhelçeski.

Kjo eksperiencë e ekipit gazetaresk gjithsesi kishte gjenezën e saj!

Protestat e filluara më 24 shkurt 2017 ishin organizuar nga „Tvrdokorni“ nën moton „Marshi maqedonas – zotim për Maqedoninë“. Pas disa ditësh, ato u bënë më masive dhe u shndërruan në një „marsh civil“ drejtuar kundër të ashtuquajturës „Platforma e Tiranës“. Retorika e protestave i referohej Maqedonisë së përbashkët dhe multietnike, por mesazhet dhe vokabulari ndryshuan pas intervistës së atëhershme të liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili do të vlerësojë:

„Gabohen qytetarët nëse mendojnë se duke u ulur në shtëpi dhe duke parë TV, dikush tjetër do të mbrojë vendin e tyre“.

Që atëherë, protestat kanë marrë vrull, me personazhe publike që u bashkuan dhe iu drejtuan protestuesve. Tensioni dhe gjuha e urrejtjes u rrit gjithashtu! Katër ditë më pas ka ndodhur sulmi i gazetarit në portalin “A1On”.

Përmes numrave dhe statistikat!

Në statistikat e MPB-së, në vitin 2020 janë regjistruar nëntë incidente të sulmit ndaj gazetarëve, kurse në periudhën korrik 2020 – tetor 2021 janë regjistruar 9 denoncime për kërcënime online ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik.

„Gjatë vitit 2020 janë regjistruar nëntë ngjarje, duke përdorur fjalë fyese ose kërcënuese online ose në formë verbale ndaj gazetarëve. Njëra prej këtyre ngjarjeve është regjistruar si shkelje e rendit publik me një debat verbal. Të gjitha ngjarjet e denoncuara janë dërguar në Prokurorinë Publike për veprime të mëtejshme. Në periudhën korrik 2020 – tetor 2021 janë regjistruar 9 denoncime për kërcënime online ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Të gjitha janë zbardhur dhe dorëzuar në Prokurorinë Publike. Për njërin prej denoncimeve, Prokuroria Publike ka lëshuar urdhër për hetime të mëtejshme, për të cilën MPB-ja pret përgjigje nga një platformë në rrjetet sociale, një rast është mbyllur me vërejtje ndaj autorit. Denoncimet tjera janë në Prokurorinë Publike për veprime të mëtejshme“, thonë nga MPB-ja.

Nga MPB-ja thonë se në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së dhe Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, është përpiluar „Doracaku për sigurinë e gazetarëve gjatë ngjarjeve me rrezik të lartë“ për identifikimin e rreziqeve dhe shmangien e sulmeve ndaj gazetarëve, veçanërisht gjatë raportimit për ngjarje me rrezik të lartë. Por, rreziku nga raportimi mbetet një pjesë integrale e profesionit, kurse stresi si pasojë e saj.

A respektohen marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare?!

Që puna gazetareske në terren është e rrezikshme nuk është asgjë e re apo e paqartë, sepse profesioni për nga natyra e tij lidhet me disa rreziqe sigurie. Dejan Georgievski nga Qendra për Zhvillim të Mediave thotë se nevojitet një ndërhyrje mjaft radikale në marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe legjislacionin kombëtar që e funksionalizon mbrojtjen e tillë të gazetarëve, por edhe respektimin konsekuent të tyre.

„Ajo që ka qenë problem për ne deri më tani është kultura e mosndëshkimit, e cila mbi të gjitha vjen si pasojë e ngadalësisë, e ndonjëherë edhe mungesës së dukshme të interesimit të institucioneve përgjegjëse për ndjekjen dhe sanksionimin e rasteve të tilla për të ndërmarrë veprimet e nevojshme. Ata reporterë dhe gazetarë investigativë që raportojnë për krimin dhe korrupsionin raportojnë për njerëz që nuk mendojnë shumë për përdorimin e dhunës apo të kërcënohen me dhunë. Edhe pse do të doja të ishte ndryshe, është e vështirë të presësh që nëse ke zbuluar ndonjë krim të organizuar apo korrupsion të lartë, dikush nga ana tjetër të vijë dhe të thotë: „Më jep dorën! Shkëlqyeshëm, më zbulove, të lumtë! Publiku ka të drejtë të dijë!“. Është shumë e vështirë të flitet për mbrojtje parandaluese, nëse nuk mendojmë se gazetarët duhet të dalin në terren, në krye të detyrës, së bashku me truprojat apo shoqëruesit e policisë. Ose gazetarët me vetëdije, për arsye sigurie, të shmangin raportimin për lloje të caktuara ngjarjesh apo për tema të caktuara. Sa i përket sferës online, është e vështirë të imagjinohet ndonjë veprim parandalues ​​pa censurë paraprake ‘ex ante’ për çdo gjë që publikohet në internet“, shton Georgievski nga QZHM.

Qendra për Zhvillimin e Mediave, thotë ai, nuk ka asnjë program për të denoncuar sulme ndaj gazetarëve apo punonjësve mediatik, por mund të ofrojë kontakte me organizatat ndërkombëtare që punojnë në fushën e mbrojtjes ligjore për gazetarët dhe mediat që përballen me padi civile apo kallëzime penale për raportimin e tyre. Njëra nga organizatat më aktive dhe më të njohura, ajo britanike „Media Defense“ ofron asistencë juridike, duke filluar nga mbulimi i shpenzimeve të procedurës deri te paraqitja e opinioneve ligjore dhe ndihmës së drejtpërdrejtë në mbrojtjen apo përfaqësimin e gazetarëve në gjykatë, kryesisht, duke u thirrur në të drejtën e duhur ndërkombëtare dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në terrenin vendas – me kërkesë të shoqatave gazetareske, përfaqësuesit e të cilave morën pjesë në grupin punues për ndryshimet në Kodin Penal, në të ardhmen sulmi ndaj punonjësve mediatik do të trajtohet njësoj si sulm ndaj një personi zyrtar.

Ministria e Drejtësisë ka përgatitur ndryshime në Kodin Penal, me të cilat në një nen të veçantë përcaktohet mbrojtja e gazetarëve dhe punonjësve mediatik, që parashikojnë burgim deri në tre vjet për sulm ndaj gazetarit ose punonjësit mediatik, për fyerje personale ose online ndaj gazetarëve. Qeveria e ka miratuar zgjidhjen projekt-ligjore, që tashmë pret dritën jeshile nga Kuvendi. Përveç ndryshimeve në Kodin Penal, me ndryshimet në Ligjin për Përgjegjësinë Civile propozohet edhe ulja e dëmshpërblimit për shpifje dhe fyerje deri në 10 herë. Reformat në pjesën e mediave u rekomanduan në Raportin e Pribesë të vitit 2015 mbi prioritetet e reformave urgjente.

Storja është përgatitur në kuadër të projektit „Gazetarë të sigurt të sigurt në situata krize“ (Кeeping Journalists Safe in Situation of Crisis), financuar nga programi i UNESCO-s – „Global Media Defence Fund“ dhe i realizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik.

Autori është përgjegjës për përzgjedhjen dhe paraqitjen e fakteve të përfshira në këtë video-storje dhe për mendimet e shprehura, të cilat nuk janë domosdoshmërisht ato të UNESCO-s dhe nuk e detyrojnë Organizatën.

Referencat e përdorura dhe prezantimi i materialit në këtë video-storje nuk nënkuptojnë shprehjen e ndonjë mendimi nga UNESCO në lidhje me statusin ligjor të cilitdo vend, territor, qytet ose rajoni ose autoriteteve të tyre ose në lidhje me përcaktimin e kufijve

Останати
објави

Сподели на...