Shkruan: Ivana Stojkova
Fyerje, sulme, madje edhe tentativa për të shkatërruar pajisje – në situata të tilla hasin disa reporterë dhe kameramanë kur duhet të raportojnë nga protestat. Pyetjes nëse ju është rrezikuar ndonjëherë siguria gjatë kryerjes së punës, përgjigja si për gazetarët ashtu edhe për kameramanët është „Po, dhe më shpesh gjatë protestave“.
Jovica Paunovski, reporter i TV 21, thotë se shpeshherë protestuesit, por edhe policia nuk bëjnë dallim me punonjësit e mediave, të cilët janë aty për të kryer punën e tyre, kështu që ata mbeten vetëm kur është fjala për mbrojtjen e sigurisë së tyre.
„Sidomos në ato protesta që kanë qenë të paralajmëruara si të qeta e pastaj janë përshkallëzuar. Në ato momente gazetarët, siç dinë vetë, duhet të qëndrojnë profesionistë, të raportojnë dhe njëkohësisht të shpëtojnë, sepse atëherë as policia as protestuesit nuk bëjnë dallim me gazetarët“, thotë Paunovski.
Nuk përjashtohen as kameramanët, të cilët shpeshherë marrin kërcënime në përpjekje për të përcjellë pamje filmike.
„Kërcënimet janë të tipit „Do të të thyej kamerën, çfarë po filmon“, „Kush je ti që e regjistron këtë?“, „Media e juaj është tradhtare“, „Largohu nga këtu, nuk mund të filmosh“ dhe ngjashëm“, thotë Aleksandar Dimitriovski, kameraman shumëvjeçar në Tv 24.
Dimitriovski shton se në përgjithësi filmimi i protestave është si çdo incizim tjetër në terren, por ndonjëherë mund të jetë i rrezikshëm.
Aleksandar Dimitriovski, kameraman në Tv24
„Nëse protesta fillon me agresion, gjegjësisht hedhje të gjësendeve, shtyrje etj., këtu tashmë fillon të bëhet rrezik, për shkak të dëshirës për të raportuar nga vija e parë e frontit, mund të lëndohet një kameraman apo një gazetar“, shton Dimitriovski.
Gazetarja Irena Karevska u pështyu në kuptimin e plotë të fjalës nga protestuesit, edhe atë disa sekonda para se ajo të dilte drejtpërdrejt në lajme nga një ngjarje dhe të fillonte të raportonte. Në vend që të përqendrohet në raportim, të përcjellë atmosferën, t’i kushtojë vëmendje çfarë do të thotë dhe të qëndrojë e qetë, ajo bëhet objektiv i protestuesve.
Edhe përkundër kësaj, Karevska ka arritur ta kryejë detyrën në mënyrë profesionale he ta vendos profesionalizmin para sigurisë së saj, por thotë se sulmet e tilla janë shqetësuese, të cilat sot e kësaj dite nuk janë të rralla.
Irena Karevska, gazetare në „360 Shkallë“
„Për sulmin kam raportuar në lajme, por nuk kam nisur procedura të mëtejshme. Shkak ndoshta ka qenë fakti se nuk ka statistika inkurajuese për sa i përket dënimit për sulmet ndaj punonjësve të mediave. Megjithëse, nga këndvështrimi i sotëm, ndoshta do të kisha vepruar ndryshe dhe do ta denoncoja rastin, edhe sikur të mbetej vetëm një statistikë në raportimet për lirinë e mediave në vend“.
Pandemia e covid-19 dhe masat anti-covid kanë rritur më tej numrin e protestave dhe demonstratave në mbarë botën, shumica e të cilave janë të dhunshme, dhe gjatë kësaj shënjestër e sulmeve janë edhe vetë punonjësit e mediave që raportojnë për to.
Edhe Në Maqedoni, ndër rastet e fundit të sulmeve ndaj punonjësve të mediave është pikërisht protesta kundër masave anti-covid, në të cilën gazetarët dhe kameramanët janë fyer, nënçmuar dhe u janë dërguar mesazhe vulgare.
Protesta kundër masave anti-covid Ajo që është e rrezikshme është se sulme të tilla verbale nga të pranishmit mund të nxisin më tej turmën e pranishme të dhunës, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejt sigurinë e punonjësve të mediave.
A ka nevojë për komunikim dhe bashkëpunim më të mirë mes gazetarëve dhe policisë?
Statistikat tregojnë se këtë vit në polici janë ngritur tetë kallëzime për shkelje të sigurisë së punonjësve të mediave gjatë protestave, pesë prej të cilave janë zbardhur plotësisht dhe janë përmbyllur me tre kallëzime penale, një kallëzim kundër shtatë personave, një njoftim me shkrim në PTHP dhe një sanksion për kundërvajtje ndaj dy personave. Megjithatë, tre nga rastet e denoncuara ende nuk janë zbardhur, autorët nuk janë dënuar.
„Gjatë vitit 2021 janë dorëzuar gjithsej tetë kallëzime, krahasuar me vitin 2020 kur janë raportuar 10 raste të tilla në MPB, nëntë prej tyre tashmë janë zbardhur plotësisht dhe për një rast janë duke u ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë të tij. Nga tetë denoncimet e sivjetshme, pesë janë zbardhur plotësisht dhe janë përmbyllur me tri kallëzime penale, nga të cilat një për shtatë persona, një njoftim me shkrim në Prokurorinë Themelore Publike dhe një sanksion për kundërvajtje kundër dy personave“, thonë nga MPB-ja.
Shtojnë se MPB-ja në vazhdimësi po ndërmerr masa dhe aktivitete intensive për rritjen e sigurisë së gazetarëve. Ata theksojnë se janë mbajtur edhe punëtori ku kanë marrë pjesë gazetarë, fotoreporterë, si dhe anëtarë të MPB-së, si dhe janë ndarë përvoja dhe janë identifikuar pikat ku duhet të përmirësohet bashkëpunimi.
Si të rritet siguria gjatë raportimit?
Natasha Kovaçev, reportere me përvojë 15 vjeçare në gazetari televizive, korrespondente e “Euronews Serbia” nga Vojvodina, ndan disa këshilla dhe përvoja rreth situatave të mundshme të paparashikuara që mund të ndodhin gjatë raportimit nga protesta dhe demonstrata të ndryshme. Për raportim të sigurt, thotë ajo, është e nevojshme që paraprakisht të përgatiten dhe të organizohen ekipet në terren, si dhe vetë redaksitë.
„Kjo, mbi të gjitha, nënkupton marrëveshje të qarta se kush çfarë bën, ku do të dislokohet, si do të dërgohet materiali dhe informacionet nga terreni, por edhe cilat janë pikat e kontaktit në redaksi, gjegjësisht cilët janë personat që gazetarët mund të kontaktojë nëse në terren do të ketë një problem. Sa më e mirë të jetë përgatitja, aq më të vogla janë shanset për një problem“, thotë Kovaçev.
„Në vetë ngjarjen është shumë e rëndësishme që të mos qëndrosh mes protestuesve dhe policisë apo pas njërit apo tjetrit grup. Pozicioni më i mirë është anash – në këtë mënyrë do të keni një pasqyrë më të mirë të situatës, por gjithashtu do të jeni në gjendje të ecni më shpejt nëse të dy palët përplasen me njëra-tjetrën. Është gjithashtu e rëndësishme që të mos debatoni me policinë apo të kundërshtoni arrestimin. Bëjini të ditur se jeni gazetar, tregoni kartën e identitetit dhe, nëse kjo nuk mjafton, përpiquni të informoni redaksinë ose avokatin tuaj për atë që po ndodh. Për shkak se telefonat mund të konfiskohen, gazetarët këshillohen që të shkruajnë dhe ta kanë afër tyre numrin e telefonit të redaksisë ose avokatit për nevojat e tyre“, thekson Kovaçev.
Raportimi nga protesta është çështje e rëndësishme dhe e rrezikshme, por me përgatitje të mirë, njohje të terrenit dhe taktika të mundshme policore mund të minimizohen rreziqet për gazetarët, përfundon Natasha Kovaçev.
Po rritet numri i sulmeve ndaj gazetarëve që mbulojnë protestat në mbarë botën
Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se numri i sulmeve ndaj gazetarëve që mbulojnë protestat në mbarë botën po rritet ndjeshëm. Sipas UNESCO-s, 10 gazetarë u vranë gjatë protestave midis vitit 2015 dhe mesit të vitit 2020 dhe u regjistruan 125 raste të sulmeve ose arrestimeve të gazetarëve. Organizata, roli i së cilës përfshin monitorimin e zhvillimeve në media, në një raport thotë se situata të tilla ishin gjithashtu rezultat i „një prirje më të gjerë rritëse në përdorimin e forcës ilegale nga ana e policisë dhe forcave të sigurisë në pesë vitet e fundit“.
Dëmtimi i sigurisë së mediave – cenohet e drejta për informim e qytetarëve
Protestat e 27 prillit, të cilat u shndërruan në demonstrata të dhunshme, flasin për rrezikshmërinë e raportimit nga protestat, gjatë të cilave gazetarët që raportuan nga Kuvendi, ku protestuesit u vërsulën, iu cenua drejtpërdrejt siguria, madje u sfidua edhe jeta. Një rast që është bërë sinonim i mosndëshkimit të sulmeve ndaj gazetarëve, por edhe i rrezikut të raportimit të protestave dhe demonstratave të dhunshme.
Secili terren ka historinë e vet, kurse siguria mund të ndryshohet për pak minuta, thotë reporteri Paunoski dhe, për të rritur sigurinë, thotë se duhen ndëshkime përkatëse për autorët.
„Përparësi duhet t’u jepet rasteve të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe dënime të duhura për autorët. Ndaj nevojitet rritje e të drejtave të gazetarëve, përmirësim i procedurave për sjelljen e policisë ndaj gazetarëve dhe regjistrim i sulmeve“, vlerëson Paunovski.
Qëndrim të njëjtë ndan edhe kameramani Dimitriovski.
„Institucionalisht ata duhet të mbrohen më shumë dhe çdo sulm duhet të sanksionohet siç duhet, pa përjashtim”, shton Dimitriovski.
Sipas gazetares Karevska, ka ardhur koha që sulmi ndaj punonjësit të mediave të trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar.
„Zgjidhja? – Si fillim duhet të miratohen menjëherë ndryshimet e shumëpritura të Kodit Penal, të cilat sulmin ndaj gazetarit, kameramanit apo fotoreporterit do ta trajtojnë si sulm ndaj personit zyrtar“, komenton Karevska.
Punonjësit mediatik që janë zyrtarisht të pranishëm në protestat publike janë aty në
detyrë, në interes të publikut, dhe cenimi i sigurisë së tyre nga ngjarje të tilla u mohon
qytetarëve të drejtën për t’u informuar.